Parlamenti Evropian: Marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë të bazohet në njohjen reciproke
Kështu ka shkruar korrespodentja e RTK-së në Bruksel, Gjeraqina Tuhina. Ajo tha se kjo është hera e parë që institucionet e Bashkimit Evopian e përmendin këtë.
“@EP_ForeignAff voton raportin i cili nënvizon se marrëveshja përfundimtare btë #Kosova dhe #Serbia duhet të bazohet në njohjen reciproke. Kjo është hera e parë që një institucion i #BE përmend elefantin në dhomë në dokumentin zyrtar”, ka shkruar Tuhina.
43 eurodeputetë kanë votuar pro, 9 kundër dhe 5 kanë abstenuar në votimin për Raportin për Kosovën në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian.
Në tekstin e Raportit të prezantuar nga Raportuesja Viola Von Cramon i bëhet thirrje Këshillit të BE-së që urgjentisht të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Poashtu në këtë raport përfshihet edhe mbështetja ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe aspiratën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian si dhe thirrja për pesë vendet anëtare të bllokut evropian, të cilat nuk e kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.
Sipas dokumentit që pritet të diskutohet më 14 qershor, Parlamenti Evropian shprehet i kënaqur që Kosova u është bashkuar të gjitha qëndrimeve të BE-së për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, ka shpallur sanksione, dhe me një rezolutë të veçantë në Kuvend ka dënuar këtë agresion.