Paratë e harxhuara për ndryshim të kufijve gjatë Qeverisë Haradinaj, reagon nënkryetari i AAK-së
Nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka reaguar pas raportimeve se gjatë kohës sa kryeministër ishte Ramush Haradinaj, janë harxhuar para të shtetit, respektivisht Ministria e Integrimeve ka paguar një kontratë ku do të lobohej modifikim territoresh.
Nitaj ka thënë se kjo gjë nuk mund të lidhet me emrin e Ramush Haradinajt, i cili në atë kohë ishte kryeministër i qeverisë.
Ai ka thënë se ministria është autonome në lidhjen e kontratave të lobimit.
“Lajmet se Ministria e Integrimeve paska paguar një kontratë ku do të lobohej për të ashtuquajturin “modifikim territorial” që në shqip i bie shkëmbim territoresh, dëshmon se sa i madh ka qenë fronti për copëtimin e Kosovës, të cilin e ka kundërshtuar i vetëm Ramush Haradinaj. Ministria është autonome në lidhjen e kontratave të lobimit dhe mos provoni që këtë ta lidhni me emrin e Ramush Haradinajt”, ka shkruar Nitaj në Facebook.
Dikush ia piu duhanin fshehtë Haradinajt, por pa të Kosova do të ishte e copëtuar
Nitaj ka thënë se kjo gjë ka mundur të ndodh në fshehtësi nga Haradinaj, por sipas tij, pa atë kryeministër, Kosova tashmë do të ishte e copëtuar.
“Nëse lajmi është i saktë, mund të thoni se dikush ia paska “pi duhanin fshehtë” por për ju që kuptoni e provoni të shkruani shqip, po të mos ishte Ramushi me aleatë, toka e Kosovës sot do të ishte e copëtuar!”, ka shkruar në fund Nitaj.