Parashikohet garë e nxehtë për Podujevën – kush mund ta përcaktojë fituesin?
Nexhmi Rudari nga LDK-ja, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Naim Fetahu nga PDK-ja janë tre kandidatët që do të garojnë për pozitën e kryetarit të komunës së Podujevës, në zgjedhjet që do të zhvillohen më 15 mars. Qyteti nga Llapi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi kryetari i deritanishëm, AgimVeliu, u caktua ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës në Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti.
Për qytetin që deri tani njihej si bastion i pathyeshëm i LDK-së, parashikohet që kësaj radhe të ketë garë të fortë dhe për analistët nuk ka dyshime që do të shkohet në balotazh. Fituesi pritet të jetë njëri mes Bulliqit e Rudarit, megjithatë nuk përjashtohen befasitë.
Garë e fortë e që do të sjell ethe për Podujevën, konsideron se do të jenë zgjedhjet e 15 martit edhe Xhemajl Hasani, kryetar i Degës së Nismës Socialdemokrate në këtë qytet.
Hasani, i cili së fundmi u përfol që do të merrte pjesë në garë, por që ndryshe kishte vendosur partia, thotë se të tre kandidatët janë mjaft të mirë.
“Të shohim se si do të rrjedh situata, të tre kandidatët janë mjaft të rinj dhe prej partive më të mëdha këtu në Podujevë. Garë me ethe do të jetë, kështu që nuk mund ta dimë për deri sa dy partitë kanë qenë shumë afër në zgjedhjet e fundit, LDK-ja me një rezultat të ngushtë ka dalë para Vetëvendosjes. Por tash fillon prej zeros”, ka deklaruar Hasani për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Ai thotë se partia e tij do të shkojë me ndonjërën prej partive në koalicion, porse ende nuk kanë vendosur.
“Ne nuk kemi vendosur ende, sigurisht që do të kemi koalicion, do ta kemi dikë. Patjetër që do ta mbështesim dikë, por një herë nuk po mundem të flas”, ka shtuar ai.
Për njohësin e çështjeve politike që vjen nga komuna e Podujevës, Shemsi Jasharin, të tre kandidatët për kryetar, janë figura të njohura për qytetarët llapjan dhe partitë nuk kanë ardhur me risi për këto zgjedhje.
“Subjektet politike në Podujevë, nuk kanë sjellë ndonjë risi në besimin e tyre për figurat e kandiduara për garën zgjedhore të 15 marsit, për kryetar të Podujevës. Shikuar në përgjithësi gara bëhet nga figura të njëjta tash e që nga paslufta por për pozicione të ndryshme”, është shprehur Jashari për FaktePlus.
Garën kryesore Jashari e pret mes LDK-së e LVV-së, por nuk përjashton që kandidati i PDK-së të bëjë befasi, ndërsa sipas tij, balotazhi është i pashmangshëm.
“Duke marrë për bazë trendin e votës në nivel vendi dhe po ashtu edhe numrin e votave nga zgjedhjet e fundit lokale dhe nacionale, gara do të zhvillohet për vendin e pare në mes të LDK-së dhe LVV-së, por gjithashtu edhe kandidati i PDK-së nëse ka një përformancë të mirë mund të kthehet në garë për vendin e dytë”, ka thënë ai.
E diferencën sipas Jasharit, do ta bëjnë dy faktorë.
“Diferencën në këto zgjedhje do ta bëjnë dy faktorë të rëndësishëm, siç janë mbështetja nga qendra për subjektet garuese dhe angazhimi në teren përmes strukturave të subjekteve. Struktura më e organizuar mund të sjellë edhe numër më të madh të votove për kandidatët”, ka shtuar tutje ai.
Por kush janë kandidatët për Podujevën:
Naim Fetahu i PDK-së është magjistër i Shkencave Ekonomike, titull të cilin e mori në Universitetin e Prishtinës.
Është njëri ndër themeluesit e Degës së PDK-së në Podujevë, aktualisht nënkryetar i Degës. Ka qenë zv/ministër i Shëndetësisë një mandat e një tjetër i Administratës Publike. Për një kohë kishte qenë edhe deputet.
Nexhmi Rudari i LDK-së më 2015 ishte emëruar nënkryetar i komunës së Podujevës, ndërsa paraprakisht ishte Drejtor i Arsimit në këtë komunë.
Ai është anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.
Shpejtim Bulliqi i Vetëvendosjes u bë i njohur kur ishte në funksionin e Kryesuesit të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror me Malin e Zi. \
Vitin e kaluar aderoi në LVV nga LDK-ja, pas 30 vitesh, siç kishte thënë atëherë për arsye “të rizgjedhjes së klanit komunist që e ka kapur partinë dhe po punon ekskluzivisht për interest e 3-4 njerëzve”.
Bulliqi është profesor në Departamentin e Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në UP.
Kujtojmë që kandidati që fiton do të mund ta ushtrojë vetëm gjysmë mandati, pasi zgjedhjet e reja lokale sipas ligjit do të zhvillohen pas dy vitesh.
Komuna e Podujevës, shtrihet në verilindje të Kosovës dhe ka sipërfaqe prej 633 km2. Në bazë të disa vlerësimeve ka rreth 135.000 banorë. Përbëhet nga 76 fshatra.
Në zgjedhjet e fundit të drejtë vote në këtë komunë patën mbi 85 mijë qytetarë. Pjesëmarrja ishte 48%.
Ndryshe, fushata zgjedhore për kryetar komune në Podujevë do të jetë vetëm 10 ditë. Fushata sipas përcaktimit të KQZ-së fillon më 3 mars dhe do përfundojë më 13 mars./FaktePlus