Paralajmëron Hamza: Pa buxhet s’ka as pagesa e as zgjedhje
Ministri i Financave, Bedri Hamza ka folur për efektet e mosvotimit të buxhetit në Kuvendin e Kosovës. Ai ka thënë se nëse deputetët nuk e votojnë buxhetin, vendi futet në një gjendje të vështirë.
”Lus të gjithë deputetët që të votohet buxheti. Mosvotimi i buxhetit, vendi shkon në situatë jashtëzakonisht të vështirë – futet në vështirësi. Nuk ka pagesa. Nuk jam për të paragjykuar se kur mund të ndodhin zgjedhjet dhe si do të ndodhin ato”, ka thënë Hamza.
Ai ka treguar se edhe vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje, nësë nuk miratohet buxheti.
“Nëse vjen situata me shku në zgjedhje, nëse s’ka buxhet s’ka vendim për shtyrjen e buxhetit as paret për t’i organizuar zgjedhjet s’ke për me pagu. Ka para por s’lejon ligji. Dua të besoj që edhe kërkesat e PSD-së kanë qenë më tepër për t’i përmirësuar disa gjëra, edhe për reformën pensionale edhe me dhënë kontributin e vet sa i përket Administratës Publike”, ka thënë Hamza mbrëmë në Klan Kosova.
Ministri Hamza më tej ka thënë se edhe nëse nuk zgjatet edhe për një muaj ai i vitit paraprak – në shkurt s’mund ta paguajnë askënd.
“Nëse deri më 31 janar nuk ka vendim për zgjatjen e shfrytëzimit të buxhetit 2018, muaji shkurt deri sa të ka vendim, nuk mund të kryhet asnjë pagesë. Mbetet me pa në seancën që është e paraparë për nesër, por në rast se aprovohet vendimi për zgjatje po besoj që po, kemi mundësi të shfrytëzojmë edhe muajin shkurt. Nëse nuk aprovohet vendimi deri sa të aprovohet buxheti, mbyllen të gjitha pagesat dhe mund të paguhet vetëm borxhi i jashtëm”.