Paralajmërimi i Blinken: Rusia mund të sulmojë edhe gjatë Lojërave Olimpike
Paralajmërimi i Blinken: Rusia mund të sulmojë edhe gjatë Lojërave Olimpike
Thirrja për largimin e qytetarëve amerikanë nga Ukraina u përsërit edhe nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Ai paralajmëroi se Moska mund të pushtojë Ukrainën në çdo moment.
“Për ta thënë thjesht, ne vazhdojmë të shohim sinjale shqetësuese të një përshkallëzimi, përfshirë forca të reja që mbërrijnë në kufirin ukrainas. E kemi thënë edhe më herët, jemi në një dritare kur pushtimi mund të nisë në çdo moment, edhe gjatë Lojërave Olimpike. Po vijojmë të tërheqim stafin e ambasadës sonë nga Ukraina dhe kemi qenë shumë të qartë në kërkesën se çdo qytetar amerikan atje, duhet të largohet tani”, tha Blinken.
Më herët, Presidenti amerikan, Joe Biden, u kërkoi të gjithë qytetarëve amerikanë të mbetur në Ukrainë të largohen menjëherë nga vendi, duke cituar kërcënime në rritje për aksion ushtarak rus. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se nuk do të dërgonte trupa për të shpëtuar amerikanët, nëse Moska pushton Ukrainën. Ai paralajmëroi se gjërat në rajon mund të çmendeshin shumë shpejt.
“Ajo që kam kërkuar është që shtetasit amerikanë të largohen nga Ukraina, të largohen tani. Kemi të bëjmë me një prej ushtrive më të mëdha në botë. Gjërat mund të çmenden me shpejtësi”, tha Biden.