PARADOKS: Kosovarët miliarderë në kredi, miliarderë në kursime
Qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të marrin kredi nga bankat komerciale që operojnë në vendin tonë. Qytetarët e vendit më të varfër në rajon kanë hyrë borxh në banka rreth 3 miliardë euro. Por, kosovarët nuk janë keq edhe me kursime, ata deri në shtator të këtij viti i kanë paluar në banka 1 miliardë e 440 milionë. E në të njëjtën kohë, bankat komerciale vazhdojnë të kenë fitime marramendëse. Prej janarit deri në gusht të këtij viti, ato kanë realizuar një profit prej 58.5 milionë euro.
Kosovarët mund të llogariten si njerëzit më të çuditshëm në Evropë. Ndonëse sipas statistikave, konsiderohen si populli më i varfër në rajon, ata nuk qëndrojnë keq me kursim të parave në banka.
Në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) kanë treguar se kosovarët deri në muajin shtator të këtij viti kanë deponuar në bankat komerciale të Kosovës 1 miliardë e 440 milionë euro.
“Stoku i depozitave të Ekonomive Familjare deri më datë 30 shtator 2019 ishte 1 miliardë e 440 milionë euro”, ka thënë për FaktePlus, Kushtrim Ahmeti zyrtar për media në BQK.
Ai ka treguar se gjatë këtyre muajve janë rritur edhe depozitat e reja.
“Kurse, shuma e kontratave të reja për depozitë të afatizuar për periudhën 1 janar-30 shtator 2019 ishte 296 milionë euro”.
Por, në Bankën Qendrore të Kosovës thonë se edhe numri i qytetarëve që kanë marrë kredi është rritur dukshëm.
Sipas BQK vlera e kredive aktive deri më datë 30 shtator 2019 ka qenë 2 miliardë e 957 milionë euro, prej të cilave 1 miliardë e 79 milionë janë të ekonomive familjare.
“Ndërkaq, shuma e të gjitha kontratave të reja për dhënie të kredive për periudhën 1 janar-30 shtator 2019 ka qenë 1 miliardë e 71 milionë euro, prej të cilave 415 milionë janë të Ekonomive Familjare. Në këtë llogaritje nuk bënë pjesë kreditimi i bërë në formë të mbitërheqjes dhe linjave kreditore, prej të cilave 1 miliardë e 79 milionë janë të Ekonomive Familjare”.
Bankat me fitime marramendëse
Në të njëjtën kohë, bankat komerciale në Kosovë vazhdojnë të kenë fitime marramendëse. Prej janarit deri në gusht të këtij viti, së bashku ato kanë realizuar një profit neto prej 58.5 milionë euro.
Sipas statistikave të Bankës Qendrore të Kosovës, në total të hyrat e sektorit për ketë periudhë ishin 177.2 milionë euro, ndërsa shpenzimet 117.8 milionë euro.
Një pjesë e madhe e këtij fitimi erdhi nga tarifat për shërbime që aplikojnë bankat. Vetëm hapja e një llogarie bankare, që shumë banka e ofrojnë pa pagesë, në ProCredit kushton hiç më pak se 5 euro.
Ndërsa në bankën tjetër, në Raiffeisen Bank transferi i parave nga një llogari në tjetrën brenda kësaj banke kushton 1 euro.
Në fakt në çmimoret për shërbimet që ofrojnë këto dy banka vërehet një rritje e madhe e çmimeve posaçërisht për klientët privat.
Në çmimoren për shërbimet që ofron kjo bankë të hyrë në fuqi nga 23 tetori i këtij viti shihet se 5 euro i kushton klientëve edhe çdo tërheqje dhe deponim në bankomate të ProCredit Bank Kosovë me kartelë debiti.
Në fakt çmim të njëjte kanë edhe dhjetëra shërbime tjera që në shumë banka kosovare ofrohen me kosto tejet të lira e në disa edhe falas.
Në Kosovë sot operojnë 10 banka komerciale dhe përbëjnë 67.5 për qind të aseteve totale të sektorit financiar. Produktet dhe shërbimet e tyre përfshijnë llogaritë bankare, kreditë, pagesa vendore dhe ndërkombëtare, kartela bankare, garancione bankare, letër kredi, e-banking.
Qasja në shërbimet e këtyre bankave mundësohet përmes aktualisht 223 degëve dhe nëndegëve, 500 ATM-ve dhe 12,303 POS dhe 228.745 llogarive e-banking.
Aktiviteti i tyre dominohet nga kreditë, afati i maturimit të të cilave mund të jetë deri në 15 vjet, varësisht nga lloji i kredisë./FaktePlus