Para takimit në Bruksel, Hoti takon përfaqësuesit e të pagjeturve
Para takimit të së enjtes që do të mbahet në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka takuar përfaqësuesit e institucioneve për çështjen e të zhdukurve.
Hoti ka treguar nëpërmjet një postimi në ‘facebook’ se në këtë takim u bisedua për zhvillimet e deritanishme në procesin e të pagjeturve, përcjellë FaktePlus.
Postimi i plotë:
Në prag të takimit të së enjtes në Bruksel, që do të mbahet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, sot i takova përfaqësuesit e institucioneve për çështjen e të zhdukurve.
Në këtë takim, të pranishëm ishin kryesuesi i delegacionit të Kosovës në Grupin punues për çështjen e zhdukurve, Ibrahim Makolli, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj, shefi i Misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Kosovë, Agim Gashi dhe përfaqësuesi i Këshillit koordinues të asociacioneve të familjarëve të të pagjeturve, Ahmet Grajqevci.
Me përfaqësuesit e këtyre institucioneve biseduam për zhvillimet e deritanishme në procesin e gjatë e të vështirë të të pagjeturve, për sfidat aktuale në këtë proces dhe për synimet e mëtejme në përshpejtim dhe përfundim të procesit.