Pandemia: Qytetarët miliona euro borxh kompanisë KRU “Prishtina”
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, është duke u përballur me borxhe të mëdha edhe gjatë kohës së pandemisë, që erdhi nga përhapja e koronavirusit.
Pavarësisht se kjo ndërmarrje ka kërkuar pagesën e faturave të ujit tani edhe pas lehtësirave qytetarët ende nuk kanë filluar t’i paguajnë faturat mujore, shkruan FaktePlus.
Mirëpo tani pas fillimit të hapjes dhe letësimit të masave, pagesat ende nuk kanë filluar të bëhet nga ana e qytetarëve. Nga KRU “Prishtina” tregojnë se pandemia u solli rënie të madhe të pagesave, sidomos gjatë muajit mars e tutje.
Arjeta Mjeku-Azizi, zëdhënëse e KRU “Prishtina” në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka pohuar se vlera e borxheve gjatë kësaj kohe, kap shifrën 1.5 milion euro.
“Pra ndikimi i Pandemisë Covid-19 ka shkaktuar rënie të pagesave sidomos për muajin mars 2020 e tutje siç shihet në tabelë nga % sipas muajve në rënie në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar si dhe muajve para pandemisë. Nga informacionet mund të konkludojmë se vlera e borxheve të qytetarëve ndaj kompanisë KRU “Prishtina”sh,a nga fillimi i pandemisë e deri me tash sillet rreth 1.5 milion euro”, thotë Mjeku-Azizi.
Sipas saj, rënia e nivelit të pagesave të faturave mujore nga ana e qytetarëve ka bërë që të ndikojnë në nivelin e të hyrave të kompanisë.
Mjeku-Azizi tutje thekson se kompania ka shpenzime të mëdha dhe nëse nuk kryhen obligimet e qytetarëve, puna e tyre do të vështirësohet.
“Dallimet në pagesa gjatë kohës së pandemisë dhe kohës sa nuk ka qenë e pranishme pandemia në vendin tonë është e dukshme dhe ka ndikuar shumë në nivelin e të hyrave të kompanisë duke ditur se kompania ka shpenzime të mëdha për operim dhe distribuim ndaj kjo ka ndikuar shumë ngase për operim të mirëfilltë kompania ka kosto bukur të mëdha në aktivitete si nga aspekti sasior në prodhim ashtu edhe në distribuim po ashtu edhe nga aspekti cilësor i shërbimeve të ujit”, është shprehur ajo.
E gjatë kohës së pandemisë, kjo kompani në bazë të rekomandimeve të Qeverisë ka reduktuar edhe angazhimet dhe aktivitetet e përgjithshme të saj.
Sipas tyre, kjo ka bërë që të zvogëlohen kontaktet me konsumatorë për t’i informuar për obligimet mujore.
“Në bazë të vendimeve dhe qëndrimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kemi qenë të obliguar të reduktojmë angazhimet dhe aktivitetet e përgjithshme në nivelin e masave të punëve esenciale; në bazë të kërkesave dhe udhëzimeve nga IKSHP, që sa më shumë ta parandalojmë përhapjen e koronavirusit (COVID-19), respektivisht të fokusohemi vetëm në aktivitete operative me prioritet. Kjo ka ndikuar edhe në aktivitetet tona karshi arkëtimeve për këtë periudhë për këtë arsye janë zvogëluar kontaktet me konsumatorë, që janë në interesin tonë të ndërsjellë duke i informuar për obligimet mujore që i kanë ndaj ndërmarrjes për shërbimet e ujit”, ka thënë tutje për FaktePlus Mjeku-Azizi, duke shtuar se kompania në këtë kohë ka punuar me staf të reduktuar.
Ndryshe kompania e ujësjellësit e cila operon në 8 komuna të Kosovës njofton se borxhi total i konsumatorëve ndaj shërbimeve për ujë dhe kanalizim është mbi 45 milionë euro./FaktePlus