Pamje: Zhegrova e zemëron edhe Muriqin që s’ia pasoi topin
Futbollistët e Kombëtares së Kosovës nuk kanë mundur ta fshehin pakënaqësinë dhe tërbimin me bashkëlojtarin e tyre shumë të kritikuar, Edon Zhegrovën, në ndeshjet e fundit dëshpëruese të verdhekaltërve dhe më i fundit që është ndier i tërbuar është sulmuesi Vedat Muriqi.
Kosova hoqi të zitë e ullirit për ta mposhtur Moldavinë 1:0 në ndeshjen e fundit në në grup në Ligën e Kombeve, duke e siguruar qëndrimin në Ligën C – nivelin e tretë të futbollit në këtë garë – me pikë të zorit.
Paraqitja dëshpëruese dhe tejet e dobët ndaj Moldavisë në Fadil Vokrri të mërkurën ishte pasqyrim i një viti tmerrësisht të dobët të kombëtares dardane, pavarësisht fitores e cila ia ndërpreu ecurinë prej 10 ndeshjeve pa fitore.
Ylli i Baselit, i cili shpesh është krahasuar me të madhin Lionel Messin, Zhegrova i ka zemëruar bashkëlojtarët e vet në secilën prej tri ndeshjeve të fundit të Kosovës këtë vit.
Pasi i la të mllefosur Florent Hadergjonajn dhe Bernard Berishën në humbjet kundër Shqipërisë në miqësore dhe kundër Sllovenisë në Ligën e Kombeve, ai të njëjtin mllef ia shkaktoi edhe sulmuesit kryesor të ekipit, Vedat Muriqit.
Muriqi po ia kërkonte topin Zhegrovës në një hapësirë ku ishte plotësisht i vetëm, por 21-vjeçari refuzoi t’ia pasonte pavarësisht se ishte në vështirësi të mëdha nga kundërshtari.
Ylli i Lazios Muriqi nuk mundi të durojë pa e shprehur mllefin duke reaguar me duar dhe mrrola.
Në të kaluarën Zhegrovës s’i kanë bërë përshtypje kritikat për mbajtjen e panevojshme të topit.