Palmer: SHBA-ja nuk është e gatshme që të vulosë çfarëdo marrëveshjeje
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ka thënë zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Metthew Palmer.
Duke iu referuar nismës së kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, Palmer tha se beson që ajo është nismë në mbështetje të dialogut të Brukselit.
“Ne i kuptojmë takimet në Berlin e Paris si të dizajnuara që të mbështesin dialogun gjithëpërfshirës për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, theksoi ai në një intervistë të dhënë për Radion Evropa e Lirë.
Palmer, po ashtu tha se pret që Prishtina zyrtare të suspendojë tarifën doganore ndaj importeve nga Serbia, në mënyrë që dialogu të vazhdojë sa më shpejt.
“Ne vazhdojmë të mbështesim dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Mendoj se është fundamental për të ardhmen e të dyjave vendeve, Serbisë dhe Kosovës që të gjejnë një rrugë për të normalizuar raportet, idealisht kjo do të thoshte njohje e dyanshme dhe hapja e një rruge drejt integrimit evropian për të dyja vendet, Kosovën dhe Serbinë. Kthimi në tavolinë është fundamentale për këtë. Kjo nënkupton suspendimin e tarifës, pra largimi i pengesave për progres”, ka thënë ai.
Palmer tha se beson që të dyja palët janë gati që të ritakohen, por është më rëndësi që të krijohen kushtet në mënyrë që kjo të jetë e mundur.
Mes tjerash, zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit tha se SHBA-ja nuk është e gatshme që vetëm të vulosë çfarëdo marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Ajo se çfarë jemi duke thënë është se duam të shohim një marrëveshje që është e qëndrueshme, që është fer, që është e drejtë, që është e zbatueshme, një marrëveshje e cila mund të shpjegohet dhe të përqafohet nga publiku në të dyja shtetet. Nëse kemi shqetësime lidhur me çështje specifike të ndonjë marrëveshjeje, ne do t’i identifikojmë ato shqetësime dhe do të punojmë me palët, që t’i adresojmë dhe t’i zgjidhim. Por, siç thash, ne do të donim të kishim këtë problem sepse kjo do të thoshte që palët kanë rinisur bisedimet dhe kanë gjetur një të përbashkët. Këtë do të dëshironim ta shihnim”, është shprehur mes tjerash ai.