Pakoja Emergjente për bizneset: Qeveria do t’i transferojë paratë në llogari të punëtorëve, jo të shefave
Qeveria në detyrë e Kosovës, të hënën ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale nga e cila pritet të mbështeten bizneset, pensionistët, anëtarët e skemave sociale, komunat dhe pagesa shtesë për punëtorët e administratës shtetërore.
Zëvendësministri i Ministrisë së Financave dhe Transfereve, Agim Krasniqi, ka dhënë detaje se në çfarë mënyre pritet të bëhet shpërndarja e mjeteve për kompanitë që kanë ndërprerë aktivitetin e punës apo i kanë lënë pa punë punëtorët.
Krasniqi ka bërë të ditur se kompania duhet të dorëzojë listën e punëtorëve, përfshirë edhe llogaritë e tyre bankare në mënyrë që parat të transferohen direkt tek punëtorët dhe jo te kompanitë.
Ai po ashtu ka njoftuar se punëtorët munden që edhe në mënyrë individuale të lajmërohen në zyret e punësimit dhe të dorëzojnë kontratën e punës dhe atë të ndërprerjes si dhe llogarinë e bankës, në mënyrë që të shmangen keqpërdorimet me mjetet financiare.
Njoftimi i plotë:
Qeveria e Kosovës të hënën ka miratuar Pakon Emergjente, sipas së cilës parashihen ndarje shtesë për skemat sociale dhe pensionale, mbështetje financiare për shoqëritë tregtare, huadhënia për ndërmarrjet publike në vështirësi, për komunat, shtesa për mjekë, infermierë, policë, punëtorët e dyqaneve, furrave, farmacive, e shtesa për kategori të tjera.Forma e ndarjes së këtyre mjeteve për kompanitë që kanë ndërprerë aktivitetin e punës apo i kanë lënë pa punë punëtorët, bëhet duke e dorëzuar listën e punëtorëve nga kompania që kanë punuar, përfshirë edhe llogaritë e tyre bankare në mënyrë që parat të transferohen direkt tek punëtorët dhe jo te kompanitë. Po ashtu punëtorët munden që edhe në mënyrë individuale të lajmërohen në zyret e punësimit dhe të dorëzojne kontratën e punës dhe atë të ndërprerjes si dhe llogarinë e bankës, në mënyrë që të shmangen keqpërdorimet me mjetet financiare.