“Paketohuni dhe ecni” – Çfarë mesazhi po u jep investitorëve të huaj qeveria me rastin e Ferronikelit?
Që nga paslufta, alternativë dhe shans i vetëm për ngritje ekonomike në Kosovë, janë parë investimet e huaja. Politikanët në vazhdimësi kanë treguar për investitorët që do të vinin së shpejti, por në të vërtetë ata nuk kanë ardhur asnjëherë ashtu siç kem pritur dhe na është ndërtuar fotografia naive se një grup i madh milionerësh e miliarderësh nga bota do të vijnë në Kosovë të buzëqeshur e plot vullnet për të investuar dhe për ta shndërruar Kosovën në një parajsë të mirëqenies.
Ndërkohë, investitorët që kanë ardhur deri tani nuk janë mirëpritur gjithaq, madje herë pas herë janë parë edhe si armiq, sepse çuditërisht, për ne, ata kanë ardhur për të krijuar përfitime për veten e tyre dhe jo për të mirën tonë. Paradoksalisht, kemi mbetur duke i pritur investitorët e imagjinuar, të cilët do të vinin me milionat e tyre vetëm e vetëm sa për ta ndërtuar e zhvilluar shtetin tonë, pa synuar që të përfitojnë edhe për veten apo kompanitë e tyre.
Shkas i këtij editoriali bëhet situata në kompaninë Ferronikeli në Drenas, e cila ka ndërprerë prodhimin 6 muaj më parë, 8 tetor 2021, për shkak se është gjendur në një krizë të rëndë energjetike ndërkombëtare, e cila ka shkaktuar tronditje në tregjet e Evropës dhe botës. Çmimet e pesëfishuara dhe gjashtëfishuar, e kanë detyruar gjigantin metalurgjik të heq dorë nga prodhimi dhe t’i çojë në pushim të detyruar mijëra punëtorë, sepse siç kanë thënë drejtuesit e tij, kostoja e energjisë elektrike me çmimet aktuale në bursë, është e papërballueshme. Ferronikeli, bashkë me Trepçën dhe Sharrcem-in, janë tri kompanitë e vetme në Kosovë që mbesin të pambrojtura nga kriza energjetike, meqenëse që të tria me energji elektrike furnizohen nga tregu i hapur, atje ku çmimet kanë shkuar në stratosferë.
Megjithatë, më së shumti goditet Ferronikeli sepse konsumin e energjisë e ka pakrahasimisht më të më madh se secila kompani tjetër në Kosovë, me rreth 50 MW për orë, ndërkohë që Trepçës, si ndërmarrje publike, i shkojnë miliona euro të thatë nga qeveria kurdo që ajo ndodhet në krizë, ndonëse nuk është rentabile dhe ka mbetur barrë e buxhetit të shtetit qe një kohë të gjatë.
Ferronikeli është kompania e vetme në Kosovë që e pësoi rëndë krizën energjetike. Asnjë tjetër jo, sepse qeveria krijoi e çadrën mbrojtëse tarifore për 99.99% të bizneseve të vendit, ku nuk e futi Ferronikelin. Ndau 100 milionë euro subvencione për t’i mbrojtur bizneset nga kriza energjetike. Ferronikeli operon në Kosovë, punëson në Kosovë, paguan rentën e lartë minerare në Kosovë, krijon vende pune në Kosovë, por kjo nuk mjaftoi që qeveria ta shpëtojë Ferronikelin nga kriza. Pra, vetëm Ferronikelin, ndonëse e gjitha që kërkonte kjo kompani, nuk ishte subvencionimi, por ta blinte pjesën tepricë të energjisë nga KEK, me çmim më të lartë se që realisht e eksporton tani, por të përballueshëm për kompaninë.
Ferronikeli për Kosovën mund të jetë, çfarë është, të themi, kompania e madhe prodhuese e automobilave Peugeot në Francë apo tjetra, Volkswagen në Gjermani. E vërtetë, Ferronikeli është i pakrahasueshëm me Peugeot e VW, por e pakrahasueshme me Francën e Gjermaninë është edhe Kosova. Pyetja është, si do të reagonin Macron e Scholz, nëse këto dy kompani, që përbëjnë një pjesë të madhe të aktiviteteve ekonomike në shtetet e tyre, do të gjendeshin para rreziqeve. Shembujt i kemi parë shumë herë, sidomos në krizat e ndryshme ekonomike, kur ish-kancelarja Angela Merkel vizitonte dhe ofronte ndihmën e shtetit që industria gjermane të mos rrënohej.
Në këtë situatë, është interesante se si Qeveria e Kosovës i është qasur kompanisë Ferronikeli dhe thirrjeve të saj për ndihmë e bashkëpunim deri në tejkalimin e krizës. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti nuk ka folur asnjëherë e lëre ma ta vizitojë, ndonëse problemi është i madh sepse Ferronikeli punëson rreth 2,000 punëtorë si dhe është një prej prodhuesve dhe prej eksportuesve më të mëdhenj të vendit, duke e kontribuar zbutjes së raportit të tmerrshëm import-eksport që e ka Kosova.
Ferronikeli përbën mbi 30% të eksporteve të gjithmbarshme të vendit.
Për Ferronikelin ka folur ministri i Financave, z. Hekuran Murati në një seancë të Kuvendit të Kosovës, ku thënë më së lehti, ka bërë disa deklarata shumë të gabuara në lidhje me situatën e krizës ku gjendet kjo kompani. Ferronikeli ishte privatizuar që ta heqim nga qafa e shtetit, çfarë doni tani – pyeste në Kuvend ministri Murati, duke nxjerr para opinionit disa informacione të shkëputura dhe jokonsistente që lidhen me historinë e privatizimit të Ferronikelit, që ka ndodhur në vitin 2006. Ministri Murati përmendi vetëm faktet e preferuara të tij që ta ndërtojë një narracion të pranueshëm te opinioni, por nuk tregoi në asnjë moment që zotëruesi aktual i Ferronikelit, që është BALFIN Group nga Shqipëria, nuk e ka privatizuar kompaninë, por e ka pronësuar në vitin 2018 nga pronarët e mëhershëm, që e kishin privatizuar atë nga shteti, në kohën e UNMIK-ut, dhe pas shumë viteve, e kishin sjellë buzë falimentit.
Mbrëmë, në emisionin Pressing, u diskutua mu për Ferronikelin, ku për të sqaruar më shumë rreth situatës, përballë dy analistëve Donika Kadaj-Bujupi dhe Valon Syla, ishin edhe Drejtori Teknik i kompanisë, Faruk Beqiri si dhe nënkryetari i sindikatës së Ferronikelit, Sejdi Morina.
Beqiri, tha se përkundër përpjekjeve të pareshtura të menaxhmentit për të marr përgjigje nga qeveria, duke dërguar edhe propozime konkrete për ta kyçur Ferronikelin në gjenerimet vendore të energjisë, përgjigjet kanë munguar.
Ferronikeli ka mbetur në mëshirën e Zotit, ka thënë Beqiri.
“Ju kemi drejtuar organeve kompetente, që të bëhet një zgjidhje për Ferronikelin. Ferronikeli asnjëherë nuk ka lypë ndihmë financiare nga qeveria, por vetëm zgjidhje teknike që është e mundshme. Asnjë përgjigje zyrtare nuk kemi. Kemi mbetur në mëshirën e Zotit, deri tani kur po bisedojmë”, ka thënë ai.
Beqiri, Drejtor Teknik në Ferronikeli, ka theksuar po ashtu faktin që Qeveria ka mbrojtur me tarifë të gjitha bizneset në Kosovë, përveç Ferronikelit. Kjo e bën diskriminuese ndaj Ferronikelit, ka thënë ai.
“Qeveria ka subvencionuar me 100 milionë euro për t’i mbrojtur bizneset. Të gjitha bizneset në Kosovë mbrohen me tarifë, që paguajnë rreth 70 euro për megavat, përveç Ferronikelit. S’po them që Ferronikeli duhet të futet në atë tarifë, por ekzistojnë rrugë për ta gjetur një zgjidhje. Ky është diskriminimi kryesor i Ferronikelit nga qeveria”, ka theksuar Beqiri.
Ndërkaq, nënkryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Ferronikelit, Sejdi Morina ka thënë se gjendja ekonomike e punëtorëve është buzë greminës. Ai është ankuar që qeveria nuk merr seriozisht kërkesat e tyre.
“Gjendja ekonomike dhe sociale e punëtorëve të Ferronikelit është buzë greminës. Shkresa të panumërta i kemi drejtu të gjitha institucioneve. Kemi mbajtur edhe tri protesta, mirëpo ato kanë hasur në vesh të shurdhër”. Punëtorët e Ferronikelit janë të braktisur nga institucionet. Ka defakto braktisje institucionale dhe rrjedhimisht ka diskriminim të skajshëm të punëtorëve”, ka thënë ai.
Sejdiu, ka theksuar, se me rastin e Ferronikelit, investitorëve po u jep një porosi të qartë. Sipas tij, mesazhi është “paketohuni e ecni”.
Kompania Ferronikeli është jashtëzakkonisht e rëndësishmë edhe për 150 kompani të tjera, që i ifrojnë shërbime dhe furnizime asaj, në mesin e të cilave edhe dy kompanitë e mëdha publike Trainkos dhe Kosova Thëngjilli.
90% të aktiviteteve të Trainkos dhe Kosova Thëngjillit, përbëhen nga aktiviteti i Ferronikelit.
Pa dyshim që rrënimi i një ndërmarrje të tillë, pothuajse e vetmja industriale në Kosovë, i shkakton dëme të pariparueshme ekonomisë së Kosovë. Po ashtu, sic edhe u tërhoq vërejtja nga të ftuarit në Pressing,
Ka shumë pyetje që mund të shtrohen në këtë situatë, por më kryesorja është: Çfarë mesazhi po jep Qeveria e Kosovës për investitorët e huaj që mund të jenë të interesuar të investojnë në Kosovë, duke e trajtuar me kaq indiferencë krizën e madhe ku gjendet Ferronikeli, një prej kompanive më të mëdha të vendit?