Pak para seancës për shkarkimin e Qeverisë, Mustafa arsyetohet para Gjermanisë dhe Francës
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa vetëm pak minuta para se të mbahet seanca për shkarkimin e Qeverisë ka dhënë një arsyetim para Gjermanisë dhe Francës, ndërsa e ka fajësuar sërish Albin Kurtin për situatën e krijuar.
Ky arsyetim i Mustafës erdhi, pasi Gjermania e Franca kërkuan që mos të bëhet mocion ndaj Qeverisë, por të vazhdohen punët në luftimin e koronavirusit.
E Mustafa ka thënë se bashkëpunimi me Gjermaninë dhe Francën sikurse edhe me vendet e tjera të Bashkimit Evropian është me rëndësi themelore për LDK-në dhe për Kosovën.
Ai tha se Kosova ka gëzuar përherë përkrahje të fuqishme të këtyre vendeve, prandaj edhe e mirëkuptojmë brengën e tyre për situatën aktuale në Kosovë.
“LDK ka bërë të gjitha përpjekjet ta bindim partnerin tonë të koalicionit për bashkëpunim me mirëkuptim por nuk kemi arritur. Në vend të kësaj ka bërë vazhdimisht veprime të njëanshme dhe për LDK-në të dëmshme”, tha ai.
Lideri i LDK-së tha se është i vetëdijshëm edhe për këtë situatë të Coronavirusit, por këtë e ka zgjedhur dhe e ka shkaktuar Kurti dhe jo LDK-ja në asnjë rast dhe me asnjë veprim.
“Ministrat tanë do të bëjnë punën për aq sa u krijon hapësirë z.Kurti që ta përballojmë luftën me këtë virus. Mocioni është një instrument demokratik. Ai tani, sipas Kushtetutës është në të drejtën e deputetëve që e kanë nënshkruar jo vetëm e atyre të LDK-së. LDK siguron se mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me vendet e BE-së, si anëtare e familjes së PPE, për proceset e integrimeve evropiane dhe euroatlantike, dialogut si dhe për luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor”, është shprehur Mustafa.