Pafytyrësia ndaj “Ftyrës”
Nga Basri Shala (Virusi)
Krahas rrëzimit të Qeverisë Haradinaj dhe temës së zgjedhjeve të parakohshme, po aq i rëndësishëm dhe protagonist është bërë edhe Naser Shala, i njohur me nofkën “Ftyra”. Ky i fundit i ishte nënshtruar një procesi të përzgjedhjes për një pozitë shumë të rëndësishme shtetërore – në atë të drejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.
“Ftyra” në këtë garë i kishte edhe dy kundërkandidatë, por arriti t’i merrte votat e mjaftueshme nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
I njëjti person kishte kandiduar për këtë pozitë edhe më herët, por nuk kishte arritur ta merrte besimin e deputetëve.
Ambasada britanike, qysh në fillim të procesit, kishte kërkuar që nëpër pozita të larta shtetërore të zgjidhen njerëz me kredibilitet të lartë personal e profesional, duke bërë me dije se janë kundër zgjedhjes së “Ftyrës” në pozitën në fjalë.
Arsya ndoshta mund të ishte se Naser Shala (Ftyra) ka qenë i akuzuar së bashku me Fatmir Limajn nga Prokuroria Speciale për krime lufte kundër popullatës civile dhe për krime lufte kundër të burgosurve të luftës në rastin “Kleçka”.
Pas një procesi të gjatë, Gjykata Themelore në Prishtinë, e më pas edhe Gjykata Supreme e Kosovës e kishin vërtetuar pafajësinë e këtyre të akuzuarve.
Por çështja ishte komplikuar edhe më shumë pasi që “Ftyra” arriti ta merrte miratimin e deputetëve, duke bërë kështu që ambasadori britanik në Kosovë Ruairi O`Connell të jepte dorëheqje nga Bordi i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.
Kjo nuk u pa me shqetësim nga ata që me votën e tyre e sollën “Ftyrën” në pozitën në fjalë.
Por pafytyrësia ndaj “Ftyrës” erdhi më vonë – pas reagimit të ashpër dhe dorëheqjes së ShBA-së nga Bordi në fjalë.
E kur miqtë amerikanë e britanikë janë kundër një personi apo procesi, politikanët harrojnë çdo gjë dhe i kthejnë shtizat në drejtim të kundërt.
Reagimet e fundit dhe kërkesat për dorëheqjen e “Ftyrës” nga pozita e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës është pafytyrësi ndaj “Ftyrës”, ndaj këtij procesi, por është edhe dyfytyrësi ndaj miqve ndërkombëtarë.
Kjo për faktin se gjatë gjithë kohës kanë qenë në dijeni për zhvillimin e këtij procesi, kurse tash, kur “bira e minit ngushtohet”, ata dinë të dalin kundër votës së tyre, vetëm që ta shpëtojnë “fytyrën” e tyre, sidomos tash në kohë zgjedhjesh.
Ndoshta nuk e kuptoj politikën, por pafytyrësinë e kuptoj shumë mirë.