“Padia e Ramës ndaj Haradinajt: Inatet personale po vendosen në rrafshin institucional”
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tashmë edhe zyrtarisht ka paditur kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinajn.
Nga takimet zyrtare në Prishtinë, apo në Tiranë, Edi Rama dhe Ramush Haradinaj, një të tillë, pritet ta realizojnë në një ambient krejtësisht ndryshe prej herëve të tjera.
Padia e Ramës ndaj Hardinajt tashmë është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Me pretendimet se Ramush Haradinaj ka shpifur me deklarimet e tij ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama, ky i fundit kërkon kompensim të dëmit, shkruan FaktePlus.
Padia e Edi Ramës, e cila përmban mbi 30 faqe, pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës, për deklaratat e tij që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve.
E, në lidhje me këtë padi ka reaguar menjëherë, Haradinaj duke thënë se padia e Ramës është plotësisht e pabazuar.
“Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diverzion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë”, ka thënë Hardinaj.
Veprim të pakujdesshëm vendimin e Ramës po e quajnë edhe analistët në Kosovë.
Analisti Imer Mushkolaj, thotë për FaktePlus se e gjithë kjo tregon mungesën e raporteve jo të shëndosha në mes Edi Ramës dhe Ramush Haradinajt.
“Në aspektin politik unë besoj se Rama është dashur të tregohet më i kujdesshëm për shkak se kemi të bëjmë me raporte ndërshtetërore sepse ai nuk e ka padit Ramush Haradinajn si individ por e ka padit si kryeministër të Kosovës, edhe nuk është padi prej Edi Ramës si individ por është padit prej Edi Ramës si kryeministër i Shqipërisë dhe kjo tregon shumë për raportet ose mungesën e raporteve të shëndosha mes këtyre dy zyrtarëve”, ka thënë ai.
Mushkolaj, ka pohuar se i gjithë ky inat personal po vendoset në rrafshin institucional.
“Kjo është një farë lloj shprehje e mllefit edhe e inatit personal që po vendoset në rrafshin institucional”, ka thënë Mushkolaj.
Ndërsa, avokati Dastid Pallaska ka deklaruar se padia për shpifje nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj, e vendos Ramën para një predikamenti absurd ligjor, kjo nëse çështja shqyrtohet në meritë.
Pallaska ka sqaruar se refuzimi eventual i padisë nga gjykata për shkak të dështimit të Ramës që të përmbushë barrën e provës, sipas ligjit do të nënkuptonte se kryeministri i Shqipërisë është ‘tradhtar’.
“Kjo do të thotë se – po që se padia tejkalon pengesat e shumta procedurale dhe do të shqyrtohet meritorisht – Kryeministri i Shqipërisë do ta ketë barrën e provës për të vërtetuar se nuk është “tradhtar”, ka thënë ai.
Ndaj padisë së Ramës, për Haradinajn ka reaguar edhe ish- kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.
Sipas tij, Rama e mori këtë hap me urdhër të presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe se padia është e urdhëruar nga Beogradi.
Ish- kryeministri ka thënë se padia erdhi në një ditë me përkujtimin e gjenocidit serb në Reçak.
“Po sot, që shqiptarët kudo që janë, përveç Esad Toptanit të ri që heshti si fija e barit, u përulën me nderimin më të thellë para viktimave të genocidit serb në Reçak, Vuçiq, për të zhurmuar mesazhin për drejtësi të viktimave të barbarisë serbe në Reçak, urdhëroi Edvin krisatq tradhëtarin që me urgjencë të dorëzonte dhe njoftone padinë e turpit dhe tradhtisë kombëtare në Prishtinë kundër kryeministrit të Kosovës”, ka thënë Berisha.
Sipas padisë, kryeministri i Kosovës, është autori e përhapësi në publik i akuzave për fakte konkrete të cilat në mënyrë të përsëritur e në mënyrë direkte e indirekte, kanë krijuar në publik idenë e rreme sipas së cilës “Kryeministri i Republikës së Shqipërisë në personin e Paditësit është në shërbim të një ideje në dëm të interesit të kombit shqiptar në përgjithësi dhe të interesit të Republikës së Kosovës në veçanti”.
Aty përmenden një numër i madh të deklaratave që Haradinaj vazhdimisht i ka dhënë, e në të cilat e ka apostrofuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
Pjesë e këtyre deklaratave është edhe ajo ku Haradinaj, sipas padisë, i referohet edhe aferave korruptive, për ta jetësuar idenë e shkëmbimit të territoreve.
Në padi thuhet se ky qëndrim në vazhdimësi i Haradinajt është mbajtur përkundër fakteve që sipas padisë, Rama asnjëherë nuk ka diskutuar për tema të tilla./FaktePlus