Pacolli u tregon shqiptarëve në Maqedoni të Veriut për kë të votojnë
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka theksuar se në rundin e dytë zgjedhor, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut duhet të bëhen bashkë në mbështetjen e atij kandidati që garanton rrugën pa kthim kah integrimi euroatlantik.
“E vlerësoj zhvillimin e qetë të procesit zgjedhor presidencial ashtu si dhe zgjedhjet e pjesshme vendore në Republikën e Maqedonisë së veriut. Ky proces shënon një hap të mëtutjeshëm në maturimin demokratik të këtij vendi. Shqiptarët pasuruan ofertën politike me kandidaturën e profesor Blerim Rekës dhe me mbështetjen e një kandidati konsensual”, ka shkruar Pacolli në profilin e tij në Facebook.
“Tash është koha që në raundin e dytë në emër të avansimit të statusit të tyre brenda kuadrit kushtetues, shqiptarët të bëhen bashkë në mbështetjen e atij kandidati që garanton rrugën pa kthim kah integrimi euroatlantik i Republikës së Maqedonisë së veriut. Kësisoj vota shqiptare do të peshojë më shumë dhe ata do të rrisin peshën e tyre politike brenda institucioneve si qytetarë të barabartë të shtetit fqinjë”, ka thënë Pacolli tutje.