Pacolli: U frikësova se autoritetet e vendit tim do të bënin ndonjë akt terorrist mbi aeroplanin tim
Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka arritur në Prishtinë me aeroplanin e tij privat.
Ai tha se nuk e di nëse do të shkojë në shtëpi ose në karantinë, por është shprehur i gatshëm t’i respektojë të gjitha rregullat dhe ligjet si të gjithë qytetarët e tjerë.
“Nuk e di si janë procedurat. Asnjëherë nuk jam deklaruar se do të veprojë kundër rregullave dhe ligjit dhe nuk kam kërkuar nga askush të bëjë përjashtime në rastin tim. Unë çdo gjë që ka ndodhur e kam kuptuat nga idetë konspirative që kanë qenë prezente këto ditë. Është e papranueshme që të paragjykohet dikush me arrestim, të bëhet një presion i paparë ndaj një qytetari të Kosovës dhe edhe njëherë iu them se në asnjë koment nuk jam shprehur as nuk ka qenë në kokën time të veprojë jashtë normave. Kushdo që ka thënë, ka gënjyer. Unë nuk e kam thirrë askënd në Kosovë të bëhet përjashtim për mua. Jam qytetar i rëndomë si të gjithë të tjerët, e dua vendim tim dhe iu nënshtrohem të gjitha masave që janë ndërmarrë”, tha Pacolli.
Më tutje, Pacolli tha se nuk do t’i rezistojë ligjeve dhe nuk do të lejojë të ketë përparësi për të.
“Absolutisht nuk e di. Unë kam ardhur për herën e parë, nga aty kam shkuar i kam kryer procedurat që janë të reja për mua dhe çfarë do të ndodh nga këtu e tutje nuk e di, por unë nuk i rezistoj dhe i respektoj normat që janë ndërmarrë për çdo qytetar. Nuk do të toleroja që të ketë diferencime, që ndaj meje të ketë përparësi ose mangësi. Nëse ka rregull që ka ekzistuar për të gjithë, do ta zbatoj tani dhe çdo herë”, tha Pacolli.
Më tutje, lidhur me lajmet dhe komentet që kanë çarkulluar për të, duke përfshirë edhe deklaratat e u.d të ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe ato të kryeministrit në detyrë Albin Kurti tha se i ka marrë me humor, por e brengos fakti se lajmet kanë qarkulluar në të gjitha televizionet ballkanike.
“Unë jam kënaqur duke i lexuar, nganjëherë i kam marrë pak a shumë me njëfarë, të them edhe në mënyrë satitike. Por nuk më ka pëlqyer deklarata e ministrit të punëve të brendshme që ka qenë e transmetuar në të gjitha televizionet ballkanike. Edhe televizionet në Serbi e kanë mbajtur në ballina se Pacolli do të arrestohet nëse gjindet në Kosovë, kjo është e papranueshme, kjo nuk më intimidon, por atyre njerëzve të cilët mendojnë kështu, nuk i përkasin kësaj shoqërie. E dyta është problemi se postimi i kryeministrit në ikje, z.Kurti nuk më ka pëlqyer, ai më ka bërë thirrje në konfronim, ku në njërën anë do të jem unë dhe në anën tjetër ai me policët e tij. Unë e respektoj këtë shtet, e dua këtë shtet dhe këtë punën që e bëjë këtu vjen nga kjo dashni”, tha Pacolli.
Në fund Pacolli tha se pas kërcënimeve dhe anulimit e kushtëzimit të lejeve të fluturimit është frikësuar se autoritetet e Kosovës mund të kryejnë akt terrorist mbi aeroplanin e tij privat. Ai tha se është testuar për koronavirus para se të nisej nga Zvicrra.
“Unë jam qytetar i botës dhe mund të zgjedh çdokund për të jetuar, ku do të jetojë edhe pjesën tjetër të jetës dhe këtë të drejtë nuk e lë askënd t’ma cënojë. Unë jam i gatshëm tani të rishikojë disa gjëra, mua ditëve të fundit, këto ndodhi, këto presione që më janë bërë ditët e fundit më kanë ndikuar ndoshta edhe në edukimin tim të mëtutejshëm politik. Unë kam qenë dy muaj i vetëizoluar, me plot përgjegjësi. Ditën kur kam dashur të vijë në Kosovë e kam kryer testin dhe testi ka rezultuar negativ, leja ime e fluturimit është anuluar, e dyta është kushtëzuar me implikime të tjera se në dhënien e lejës duhet të jenë të implikuara disa ministri dhe të them të drejtën unë fluturoj me një fluturake, unë herën e parë jam frikësuar nga autoritetet e Kosovës se mund të kryejnë akt terrorist mbi fluturakën time. Është hera e parë që unë frikësohem nga një shtet i së drejtës. Sot jam kontrolluar, i kam kryer procedurat”, tha Pacolli.