Pacolli do të marrë pjesë në seancën për votimin e Qeverisë Hoti
Kreu i AKR-së Behgjet Pacolli, do të jetë pjesë e seancës së ditës së shtunë në Kuvendin e Kosovës, e cila pritet ta ketë vetëm një pikë të rendit të ditës – votimin e qeverisë së re në krye me Avdullah Hotin.
Këtë e bëri të ditur këshilltari i tij Jetlir Zyberaj.
Sipas tij askush nuk mund ta privojë Pacollin nga kjo e drejtë që i takon me Kushtetutë.
Zyberaj gjithashtu komentoi deklaratën e Pacollit, i cili tha se është ndjerë i frikësuar se mund të ketë akt terrorist ndaj aeroplanit të tij, gjë që sipas tij, ishte edhe arsyeja se pse ateroi fillimisht në Shqipëri.
Ai tha se deklarata e tij ishte e natyrshme pas presionit dhe diskursit që ka dominuar opinionin publik gjatë këtyre ditëve.
Deputeti Behgjet Pacolli pasi ateroi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” shkoi në rezidencën e tij në Hajvali, ku po qëndron akoma.