Paçarizi: Më 27 qershor s’do të ketë marrëveshje, vetëm do të dëshmohet përkushtimi amerikan për dialogun
Analisti politik, Rrahman Paçarizi ka komentuar pritshmëritë e tij rreth takimit të paralajmëruar me 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, mes palës serbe dhe asaj kosovare.
Paçarizi deklaroi se Kosova është në mes dy zjarreve, kështu duke iu referuar udhëheqjes së dialogut mes Amerikës dhe Bashkimit Europian.
“Jemi mes dy zjarresh, Kosova e ka provuar drejtimin e negociatave nga BE-ja, këto negociata patën nisur si bisedime teknike për cështje të caktuara për të arritur disa marrëveshje të pjesshme e jo marrëveshje finale, këto kanë qenë bisedime pa cak dhe BE-ja nuk ka përmendur anjëherë ndonjë marrëveshje që do të kishte njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Në anën tjetër janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ky interesim si tani ka munguar nga SHBA-të vetëm gjatë udhëheqjes së presidentit Barack Obama, i cili ka qenë i interesuar vetëm në politikën e brendshme dhe jo atë të jashtme dhe fatmirësisht presidenti Trump bëri që Kosova të hyjë në agjendën amerikane dhe Kosova nuk guxon më të mbështetet tek europianët”.
“Dalja e Britanisë nga BE e ka dëmtuar rëndë pozicionin e Kosovës, nuk mendoj se duhet pasur frikë nga ajo që po quhet si proces i shpejtë pasi që nuk është i shpejtë pasi ka nisur dy vjet më parë dhe ka pasur ndalesa të ndryshme dhe besoj që kjo kohë i ka shërbyer Grenellit dhe Administratës Trump për të parë situatën”, deklaroi Paçarizi në Klan Kosova.
Paçarizi mes tjerash theksoi se nuk pret marrëveshje finale në takimin e 27 qershorit veçse ky takim dëshmon përkushtimin amerikan për dialogun.
“Brenda një kohe të shkurtë nuk do të arrihet marrëveshja, mendoj që në këtë takim vetëm do të dëshmohet edhe një herë përkushtimi amerikan”.
“Nuk është rastësi që janë mbajtur zgjedhjet në Kosovë dhe nuk është rastësi që ka rënë qeveria pasi kanë rënë edhe dy qeveri më herët kur kanë refuzuar negociatat, Kosova nuk e ka luksin të refuzojë negociatat”.
“Në Serbi ka pasur kordinim mes politikanëve ndërsa tek ne cdoherë ka pasur përplasje edhe në kohën e Mustafës edhe tek Haradinaj edhe tani tek Kurti e që pastaj kjo është dukur si presion ndaj nesh”.