Pa regjistrim nga viti 2017
Një kamion i kompanisë së ujit “Uji i Pejës”, shkaktoi dje një aksident të rëndë në qendër të Gjilanit, ku si pasojë mbeti një i vdekur dhe dhjetëra të tjerë u lënduan. Aksidenti erdhi si pasoi e mos funksionimit të frerëve të kamionit. Por përveç kësaj, sipas burimeve të Agjencisë së Lajmeve FaktePlus, kamioni nuk ka qenë i regjistruar që nga viti 2017.
Vdekja e Qerim Çoçajt dhe lëndimi i dhjetëra qytetarëve nga aksidenti i tmerrshëm që ndodhi të enjtën në Gjilan, mund ta dërgojë edhe ndonjë zyrtar të shtetit prapa grilave. Kjo për faktin se po dyshohet që shkaktar i aksidentit mund të kenë qenë problemet teknike të kamionit. E në një formë përgjegjëse për këtë është edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, e cila mbikëqyr Qendrat e Kontrolleve Teknike të Automjeteve (QKTA), të cilat pas kontrollove u japin leje automjeteve të dalin për qarkullim rrugëve.
Dita e 7 marsit qe e tmerrshme për gjilanasit dhe gjithë qytetarët e Kosovës. Në qendër të Gjilanit, një kamioni që dyshohet se nuk i funksionuan frenat, shkaktoi aksident të tmerrshëm, me ç’rast një qytetar humbi jetën në vend, kurse dhjetëra të tjerë që u lënduan një vazhdon të jetë në gjendje të rëndë dhe nuk dihet nëse do të mbijetojë.
Këtë fillimvit rritje e numrit të aksidenteve në Gjilan
Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se vetëm në komunën e Gjilanit nga fillimi i këtij viti kanë ndodhur 44 aksidente. Zëdhënësi i policisë nga kjo komunë, Ismet Hashani, tha për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se krahasuar me vitet paraprake ka një rritje të numrit të aksidenteve.
Kurse, gjatë kontrollimeve rutinore njësitet policore të trafikut nga Gjilani, për këtë periudhë kohore kanë shqiptuar 60 fletë paraqitje për kundërvajtje të ndryshme në trafik, në mesin e të cilave janë gjetur edhe parregullsi teknike.
“Sa i përket kontrolleve të jashtëzakonshme për këtë periudhë kohore, pra nga janari i këtij viti e deri më tani janë shqiptuar 60 fletë-paraqitje për kundërvajtjeje të ndryshme në trafik, ku gjatë kontrolleve janë gjetur parregullsi teknike, nga më të ndryshmet, dhe në shumë raste mjetet janë dërguar për kontrolle”, ka bërë të ditur Hashani për FaktePlus.
Ministria nuk ka të dhëna sa inspektime janë bërë ndaj QKTA-ve
Nëse dyshimet e para gjatë ditëve në vijim vërtetohen dhe del se aksidenti që ndodhi më 7 mars në Gjilan erdhi si pasojë e mosfunksionimit të frenave të kamionit, kjo bie ndesh me ligjin për kontrollimin e automjeteve.
Dhe për rrjedhoi vdekja e Qerim Çoçajt dhe lëndimi i dhjetëra qytetarëve, mund ta dërgojë edhe ndonjë zyrtar të shtetit prapa grilave.
Kjo, për faktin, se në një formë përgjegjëse për këtë është edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, e cila mbikëqyr Qendrat e Kontrolleve Teknike të Automjeteve (QKTA), të cilat pas kontrollove u japin leje automjeteve të dalin për qarkullim rrugëve.
Por, zyrtarë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) edhe pse e kanë në konpetencë dhe përgjegjësi nuk kanë të dhëna të sakta se sa inspektime janë bërë nga Qendra e Kontrolleve Teknike të Automjeteve (QKTA).
“Në këto momente nuk mund t’u them numrin e saktë të inspektimeve në QKTA që kanë rezultuar me të qenit në rregull ose jo të qendrave. Por, ka pasur raste kur janë shqiptuar edhe vërejtje e gjoba për ato QKTA që nuk kanë rezultuar se i plotësojnë kriteret konform rregullave që i kërkon UA – 01/2018 për Kontrollimin Teknik të Automjeteve”, ka thënë për FaktePlus Armend Zejnaj, i cili është këshilltar i ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj.
Megjithëkëtë, Zejnaj thotë se Inspektorati që vepron në kudër të MIT është çdo ditë i angazhuar dhe kryen inspektimet.
“Po, Departamenti i Inspektoratit të MIT është çdo ditë i angazhuar dhe i kryen inspektimet periodike bazuar në planin vjetor, por poashtu duke mos i anashkaluar edhe inspektimet e aty për atyshme dhe pa paralajmërim. Ne në ketë drejtim bashkëpunojmë edhe me Policinë e Kosovës dhe kur jemi në ketë pikë, ajo çka po bëjmë si Ministri e Infrastrukturës është edhe përpilimi i Udhëzimit Administrativ, për Kontrollet Teknike Mobile të cilat do të ndihmojnë shumë në identifikimin e automjeteve që nuk e kanë kryer me rregull kontrollimin teknik e rrjedhimisht edhe identifikimin e QKTA-ve që lëshojnë certifikata të kontrollimit teknik, pa u kryer ky proces praktikisht”, shpjegon Zejnaj.
Shteti duhet të shtojë inspektimet dhe ndëshkimet
Kosovës po i mungon një strategji e qartë rreth funksionimit të qendrave të kontrollit teknik karshi nevojave reale të shoqërisë. Kështu konsideron njohësi i sigurisë rrugore, profesori Muhamed Krasniqi.
Ai tha se rasti i fundit në Gjilan është alarm që organet përgjegjëse të cilat kanë autoritet ligjor në mbikëqyrjen dhe inspektimin e qendrave të kontrollit teknik të automjeteve, duhet të rrisin angazhimin dhe seriozitetin në punë.
“Organi mbikëqyrës duhet të veprojë në dy rrafshe, në njërën anë të përkrahë qendrat e kontrollimit teknik që punojnë drejt dhe ndershëm, duke respektuar me konsistencë legjislacionin e fushës, dhe në anën tjetër të ushtrojë inspektim rigoroz dhe të ashpërsojë masat ndëshkimore për qendrat që ofrojnë shërbime fiktive. Ne e dimë që secili automjet dërgohet në qendër për kontrollim teknik dhe inspektimi i automjetit monitorohet me kamera, por nuk i dimë rrethanat tjera!”, ka thënë Krasniqi.
Profesor Krasniqi mes tjerash thotë se edhe qytetarët vetë nuk duhet të neglizhojnë rregullsinë teknike të automjeteve të tyre, pasi bëhet fjalë në radhë të parë për sigurinë e tyre.
Kontrolli teknik sipas ligjit
Me Ligjin për Automjetet parashihet se kontrolli teknik është kontroll i përcaktuar për të siguruar se automjeti është i sigurt që të përdoret në rrugët publike dhe është në përputhje me karakteristikat e kërkuara dhe të detyrueshme të sigurisë dhe të mjedisit; certifikata e kontrollit teknik – është dokument i lëshuar nga subjekti juridik, dhe i cili përmban rezultatet e kontrollit teknik të mjetit, subjekti juridik për kontrollë teknike – është subjekti juridik i autorizuar për kryerjen e kontrollit teknik të mjeteve rrugore si dhe mangësitë – janë defektet teknike dhe rastet e tjera të mos-përputhjeve të gjetura gjatë kontrollit teknik./Sh. Ahmeti -FaktePlus