Pa doganë, nën përcjellje të policisë: Si erdhën 1 mijë testet e Serbisë në Kosovë (DOKUMENT)
Javë më parë, në Kosovë u bë zhurmë e madhe për ardhjen e një mijë testeve për COVID-19 nga Serbia.
Kritikat të shumta u bënë në drejtim të Qeverisë në detyrë nën udhëheqjen e Albin Kurtit dhe Ministrisë së Shëndetësisë në krye me Arben Vitinë. Për gjithë këtë i heshtur nuk kishte si të mbetej, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, shkruan FaktePlus.
Ai në një konferencë për media kishte deklaruar se me pranimin e donacionit të ardhur nga Serbia kanë dëshmuar që nuk bëjnë dallime dhe se nëse Kosova nuk do t’i pranonte këto teste atëherë do të akuzoheshin për sjellje irracionale dhe për politizim të gjestit.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka siguruar raportin e Ministrisë së Shëndetësisë drejtuar Komisionit Parlamentar për Shëndetësi.
Në këtë raport, ministria e Shëndetësisë ka dhënë detaje për ardhjen e 1 mijë testeve në Kosovë. Aty është cekur rruga e pranimit të këtyre testeve nga autoritetet kosovare.
MSH ka theksuar se ky donacion është arritur falë bashkëpunimit me KFOR-in dhe Ambasadës Italiane në Kosovë.
“ Me ndërmjetësimin dhe ideimin e KFOR-it dhe Ambasadës Italiane në Republikën e Kosovës dhe atë të Serbisë, një bashkëbisedim të tillë Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka ralizuar një video konferencë edhe me homologun nga Serbia ministrin Lonqar. Gjatë këtij komunikimi, duke u thirrur edhe në praktikat e mëparshme të donacioneve nga Serbia për komunitetin serb, ministri Lonqar ka shprehur gadishmërinë që të ofroj 1000 teste Rt-PCR për Republikën e Kosovës si shprehje e vullnetit të mirë pasi që IKSHPK ka kryer një numër të konsiderueshëm të testeve në komunat me shumicë serbe”, thuhet mes tjerash në raport
Tutje në raport theksohet se testet janë pranuar më datën 16 prill të këtij viti, e po ashtu testet nuk iu janë nënshtruar procedurës doganore.
Sipas ministrisë procedurat doganore janë shmangur për arsye të marrëveshje ndërkombëtare për donacione.
Ndër të tjera, në këtë raport të cilin e posedon Komisioni për Shëndetësisë, thuhet se pranimi i testeve është bërë nën përcjelljen e Policisë së Kosovës të cilat kishin ardhur me një veturë me targa të BE-së nën shoqërimin e zyrtarit ndërlidhës Dejan Paviqeviq.
Më poshtë gjeni të plotë raportin e Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me 1 mijë testet për zbulimin e koronavirusit /FaktePlus/.