Pa afat apo me afat, si u janë shërbyer KIFLET nxënësve në Prishtinë
Nxënësve të shkollës “Dardania” në Prishtinë dy ditë më parë u janë shërbyer kifle që tregonin se janë me afat të skaduar. Kjo gjë ngriti edhe shqetësimin e prindërve, fëmijët e të cilëve vijojnë mësimin në këtë shkollë.
Ka qenë Visar Xani, prind i një nxënësi në këtë shkollë, që i pari bëri publik skandalin e shpërndarjes së kifleve pa afat në shkollë.
Ai drejtoi akuza në drejtim të Komunës së Prishtinës dhe vetë kryetarit Shpend Ahmeti, duke thënë se në këtë mënyrë po dëmtohen fëmijët, e për këtë sipas tij, dikush duhet ta ndiqet penalisht.
Por, Komuna e Prishtinës dhe kompania “Premium Bakery” e kontraktuar për furnizim me kifle në shkollat e Prishtinës kanë dhënë një arsyetim për rastin e kifleve.
Sipas tyre, kiflet që kanë ngrënë fëmijët kanë qenë me afat dhe se e gjitha ka të bëjë vetëm me një problem teknik gjatë ambalazhimit.
Në një përgjigje për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, zyrtarja për informim në Komunën e Prishtinës, Miranda Mullafazliu, thotë se ka qenë gabim teknik në ambalazhim në të cilën është shënuar data e muajit shtator.
“Drejtoria e Arsimit e ka kontaktuar operatorin ekonomik “Premium Bakery” për të marrë informata të sakta lidhur më rastin. Në përgjigjen e tyre thuhet se gabimi ka qenë i natyrës teknike në ambalazhim, ku është shënuar data e muajit shtator. Operatori ka deklaruar, po ashtu, se ky ambalazhim ka qenë vetëm në një pjesë të sasisë së kifleve që janë dërguar në shkollë”, thuhet në përgjigjen e Mullafazliut.
Sipas saj, Drejtoria e Arsimit dhe “Premium Bakery”, kanë marrë hapa që gabime të tilla të mos përsëriten.
Madje, Mullafazliu thekson se nuk ka vend për shqetësim dhe se rasti që ka ndodhur në shkollën “Dardania” nuk ka rrezikuar shëndetin e fëmijëve.
“Drejtoria e Arsimit dhe kompania “Premium Bakery” kanë ndërmarrë të gjitha hapat që gabime të tilla të mos përsëriten. Poashtu sigurojnë të gjithë që nuk ka vend për shqetësim dhe se rasti i ditës së djeshme, në asnjë moment nuk ka rrezikuar shëndetin e fëmijëve”, tha ajo.
Ndërkaq, menaxheri i shitjes së “Premium Bakery”, Tigran Dedi, thotë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se e kupton shqetësimin e prindërve, por potencon se nuk ka vend për brengosje dhe se produkti është 100 për qind i sigurt.
“Produkti është 100 për qind i sigurt dhe pa asnjë rrezik për fëmijët. Unë e kuptoj shqetësimin e prindërve që është normal që secili prind shqetësohet por nuk ka vend për shqetësim dhe me u brengos për fëmijët. Çdonjëri që i ka konsumuar ato kifle nuk është ankuar për shëndetin e vet”, tregoi Dedi për FaktePlus.
Dedi thekson atë se data e vënë në ambalazhin e kifleve që u janë shpërndarë nxënësve në shkollën “Dardania” ka qenë vetëm gabim teknik, duke mohuar të kenë qenë kiflet me afat të skaduar ashtu siç edhe kishte paraqitur shqetësimin prindi Visar Xani dy ditë më parë.
“Kiflet kanë afat, kanë pas afat por problemi ka qenë se kiflet janë prodhuar ditën e njëjtë dhe në proces të paketimit është bërë gabim dhe është vendos data, në vend se me u vendos 27.10.2019 është vendosur 27.09.2019 gabim teknik që është bërë. Produkti është prodhuar po të njëjtën ditë. Në asnjë shkollë nuk kemi pas problemin e tillë”, sqaron Dedi.
Kujtojmë se Komuna e Prishtinës nisi shpërndarjen me kifle në shkolla tri javë pasi kishte filluar procesi mësimor.
Vlera e kontratës që i është dhënë kompanisë “Premium Bakery” kap shumën e 214 mijë e 272 euro.
Bashkë me kifle nxënësve iu shpërndahet edhe nga një qumësht. E tenderi për furnizim me qumësht i është dhënë kompanisë “Abrazen” L.L.C, kompani kjo që drejtohet nga njerëzit e “Devolli Group”, e që produkt e kanë qumështin Vita. Tenderi kap vlerën e 288 mijë eurove./FaktePlus