OVL-UÇK: Vendorët dhe ndërkombëtarët kënaqen vetëm atëherë kur Sabit Geci është i vdekur
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së përmes një komunikate kanë shprehur shqetësime lidhur me rastin e veteranit-invalidit të luftës Sabit Geci.
Ata kanë kërkuar nga Prokuroria Speciale të dërgoi kërkesë në EULEX për zbutjen e dënimit të Gecit.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, është e shqetësuar për rastin e veteranit-invalidit të luftës z. Sabit Geci, i cili është maltretuar kohë të gjatë, duke u mbajtur padrejtësisht nëpër burgje, për shkak të gjykimeve “për krime lufte” që për ne ishin dhe janë procese të montuara politike.
Duke e ditur gjendjen shëndetësore të Geci, i cili përballet me sëmundje të rënda, sëmundje të cilat janë edhe me diagnoza të njëjta nga ana e mjekëve të UNMIK, EULEX, Turqisë dhe Kosovës, neve na ka ardhur mirë që drejtësia e liroi gjashtë muaj për shkaqe shëndetësore.
Lidhur me këtë lirim, jemi habitur me reagimin e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, z. Philip Kosnett dhe pyesim se a ka të drejtë të përzihet në drejtësi, dhe pse nuk reagon për mosgjykimin e serbëve, të cilët kanë bërë dhunime, djegie, shkatërrime dhe krime deri në gjenocid.
Duke pasur parasysh që EULEX nuk ka më mandat për këto gjëra, pyesim: A kaq e paaftë është Prokuroria Speciale e Kosovës, që të dërgoi kërkesë në EULEX, për zbutje të dënimit të z. Geci, kur e di që kjo gjë në kompetencë të kujt është.
Për fund: Ne mendojmë se vendorët dhe ndërkombëtarët kënaqen vetëm atëherë kur Sabit Geci është i vdekur”, thuhet në këtë reagim.