OVL-UÇK: Mbrëmë na thiri Specialja, nuk ua japim dosjet vetëm nëse na ngrehin zhag
Nënkryetari i OVL-së së UCK-së, Naim Haradinaj, ka thënë se mbrëmë sekretari i kësaj organizate Faton Klinkau është kontaktuar nga zyrtarë të Gjykatës Speciale ku i është kërkuar dorëzimi i dosjeve të reja që kanë shkuar në zyrat e tyre.
Por ai sot para medieve ka thënë se nuk do t’ua dorëzojnë këtë material, për dallim nga hera e parë.
“Këtë gjykatë nuk e njohim, është e skaduar, e dalur afati, e bërë bajat. Është me helme të njerëzve të aparatit të Millosheviqit. Nuk i japim dosjet pa praninë e gjykatave tona ose policisë tonë dhe autorizimin e tyre”, është shprehur Haradinaj.
“Ata po dëshmojnë që kanë punuar ngusht me njerëzit që kanë kryer dhunë, vrasje, plaçkitje, gjenocid. Ne jemi për zbardhjen e krimeve, por të gjitha krimeve që kanë ndodhur në Kosovë. Jemi organizatë i kemi do dosje, dosjet tona nuk mund të dalin pa dashur personeli ynë. Kanë dalë dosje prej Tribunalit, ka letërkëmbime, e kanë kaluar edhe normalen e juridiksionit. Për ne është absurde, por edhe faqezinjtë që kanë votuar…”.
“Nëse nuk duan dhunë [zyrtarët e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara] nuk kanë nevojë të vinë këtu. Ai [personi që sjell dosjet] ka thënë sjelli prapë, e ishalla sjell. Ky lloj materiali që po vjen është i mirëseardhur se po e dëshmon atë që e kemi thënë. Ndërkombëtarët, jo të gjithë na e duan të mirën. Këto informacione po rrjedhin si pasojë e dy prokurorëve amerikanë që kanë dhënë dorëheqje pasi e kanë parë se kanë rënë në karremin shtetëror”.
Haradinaj ka thënë se kanë diktuar se janë duke u përgjuar si organizatë kohët e fundit.
“Po përgjohemi edhe mënyra e përgjimit si e bëjnë është amatore. Nuk ka nevojë të përgjohemi krejt tregojmë…”.
Ditën e djeshme u sollën dokumente të tjera të Gjykatës Speciale në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kreu i OVL UÇK, Hysni Gucati tha se personin që i solli ato e kanë pagëzuar me emrin “Rrufeja”, pasi që po largohet shpejt dhe po është i pamundur identifikimi i tij shkruan Reporteri.net.
Gucati ka konfirmuar se në këto dokumente ka dosje të Speciales, si dëshmitarë dhe elemente që tregojnë se dëshmi ka ofruar edhe shteti serb.
E lidhur me këtë ngjarje, sot hetuesit e Gjykatës Speciale, pritet të vizitojnë sërish zyrat e OVL-UÇK, në kërkim të dosjeve të reja.