Osmani takon homologun malazez, kundërshtohen idetë për ndryshim kufijsh në Ballkan
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në takimet e zhvilluara në kuadër të Samitit të presidentëve të shteteve të rajonit ‘Brdo-Brijuni’, ka takuar Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.
Gjatë bisedës së tyre , të dy presidentët i kanë vlerësuar të mira marrëdhëniet ndërshtetërore dhe kanë potencuar se komuniteti shqiptar në Mal të Zi dhe pakica malazeze në Kosovë janë urë lidhëse.
“Më tutje është diskutuar për bashkëpunimin bilateral dhe rajonal, liberalizimin e vizave, rrugën evropiane të Kosovës si dhe anëtarësimin në NATO”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.
“Presidentja Osmani dhe homologu Gjukanoviq, kundërshtuan idetë për ndryshimin e kufijve në rajon, por edhe shfaqën shqetësimin për rritjen e ndikimit të Rusisë në rajon”.
“Në takimin ndërmjet të dy presidentëve, gjithashtu është diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit në sferën e turizmit, kulturës, arsimit dhe shkëmbimit ekonomik e tregtar”.