Osmani në Klinikën e Neonatologjisë: Jam aty ku fillon jeta
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, vizitën e parë jashtë ambienteve të Kuvendit, në cilësi të kryeparlamentares, e ka realizuar në Klinikën e Neonatologjisë në SHSKUK.
Gjatë qëndrimit në këtë klinikë, kryeparlamentarja Osmani, ka vizituar ambientet e brendshme të klinikës dhe ka takuar pacientët dhe punëtorët shëndetësorë.
“Falënderoj të gjithë doktorët e infermierët që bëjnë të pamundurën për fëmijët. Kam ardhur në vizitën e parë aty ku fillon jeta, për të treguar se prioritetet dhe realizimi i tyre i takon qeverisë, por ne si Kuvend do të bëjmë të pamundurën që shëndetësia të jetë prioritet”, ka thënë Osmani duke shtuar se në qoftë se nuk ndërtohen politika shëndetësore të mirëfillta, atëherë nuk mund të ketë as shtet.
“Neonatologjia është vendi ku unë i kam lindur dy vajzat. Pasi të fillojë ndërtimi i Klinikës së re, do të ketë kushte më të mira. Edhe sot ka mungesa, por ne duhet të punojmë që këto kushte të përmirësohen”.
Nga aty ajo ka thënë se punëtorët shëndetësorë meritojnë paga më të larta, pavarësisht ligjit./FaktePlus