Osmani në Bllacë: Kosova e ka vendin si pjesë e strukturave euroatlantike, liberalizimi duhet të ndodh
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në manifestimin qendror “Nga Esksodi në Liri” te Treni Muze, në Bllacë të Hanit të Elezit.
Osmani bëri thirrje për liberalizim të vizave, e integrim të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
“Orientimin do ta kemi përpara…Sot Evropa rilind në një Kosovë të integruar në familjen e BE-së, andaj liberalizimi duhet të ndodh sa më parë e Kosova të bëhet pjesë e strukturave euroatlantike aty ku e ka vendin”, tha Osmani.
Ajo shtoi se 23 vjet më parë ky kompozicion i trenit këtu afër sikurse edhe shumë të tjerë, ishin mjeti me të cilin Kosova u zbraz pothuajse plotësisht nga banorët e saj.
“Afër 1 milion shqiptar të Kosovës gjatë marsit ‘99 e tutje dhunshëm u dëbuan nga regjimi gjenocidal serb në shtetet fqinje e deri te shtet e Evropës. Eksodi i përmasave biblike kishte vetëm një qëllim nga ana e Serbisë e atëhershme, shfarosjen e popullit shqiptar dhe spastrimin etnik të Kosovës”, tha Osmani.
Presidentja shtoi se sot jemi të nderuar që në mesin tonë kemi një grua të fortë e cila më 1999 përjetoi një nga ditët më të rënda të saj.
“Me vajzën e saj 6 muajsh në krah ajo kishte qenë pjesë e karvanit të refugjatëve të cilët serbët i dëbuan me dhunë nga shtëpitë duke i detyruar të iknin në Maqedoni. Kjo grua është Sherife Luta, dhe me fotografinë e saj që ka bërë gjiro në ballinat e mediave botërore ishte bërë portreti i Kosovës asaj kohe por edhe i grave stoike. 23 vjet më parë ëndrra e saj por edhe të gjithë banorëve të Kosovës nisi të bëhej realitet kur trupat r NATO-s zbarkuan në tokën e Kosovës”, u shpreh Osmani.
Presidentja theksoi se më 12 qershor 1999 vrasësit përfunduan jashtë Kosovës, e forcat paqeruajtëse hynë në Kosovë e qytetarët e dëbuar me dhunë nisën të kthehen në shtëpitë e tyre, at ditë erdhi liria, morën fund shtypja e vrasja dhe zuri fill krijimi i shtetit më të ri në botë.
“Ora e errët e historisë për ne mori fund. Regjimi gjenocidal i Millosheviqit mori dënimin e merituar. Mirënjohje e falënderim i pafund për aleatët tanë. Faleminderit UÇK-së dhe NATO-s. Ne Nuk do të reshtim së kërkuari drejtësi për gratë e dhunuara, për të zhdukurit me dhunë dhe të gjitha viktimat civile”, tha Osmani.