Osmani me kryeministrin britanik diskuton për “bashkëpunimin në fushën e sigurisë”
Presidentja Vjosa Osmani të premten ka bërë të ditur se ka takuar kryeministrin e Britanisë së Madhe, Keir Starmer, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin në fushën e sigurisë.
Osmani të mërkurën ka udhëtuar për në Hungari, ku po merr pjesë në Samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian.
Në një njoftim në Facebook, presidentja theksoi se me Starmerin foli edhe për marrëveshjen e fundit mes Kosovës dhe Britanisë për emigracionin
“Bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si dhe marrëveshja e arritur së fundmi mes dy vendeve tona në fushën e emigracionit, ishin në fokus të diskutimit me Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer. Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar”, ka shkruar ajo.
Gjatë qëndrimit në Budapest, Osmani ka zhvilluar edhe takime të tjera. Sot është takuar edhe me kryeministren e Letonisë, Evika Siliņa e kryeministrin e ri të Estonisë, Kristen Michal.
“Letonia është një partner i fuqishëm i Kosovës, duke përkrahur jo vetëm shtetndërtimin, por edhe përpjekjet tona për integrimin euroatlantik. Me kryeministren Evika Siliņa, biseduam për përkushtimin tonë të palëkundur për të avancuar në rrugën tonë evropiane, me theks të veçantë për anëtarësimin e Kosovës në KiE, heqjen e masave ndaj Kosovës, si dhe për ecjen përpara me statusin e kandidatit për vendin tonë. Ishte kënaqësi të takoj Kryeministrin e ri të Estonisë, z.Kristen Michal. Në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian, diskutuam për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, si dhe për shtyrjen përpara të aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në BE”, ka njoftuar Osmani.
Ditën e djeshme, presidentja u prit nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.