Osmani: LVV nuk mund ta merr postin e kryeministrit me LDK-në, PDK-ja opsioni i fundit
Edhe një takim tjetër kanë realizuar sot Isa Mustafa dhe Albin Kurti. Ata thuhet se kanë diskutuar rreth situatës politike në vend, por nuk është treguar nëse ka ndonjë pajtueshmëri për bashkëpunim para ose paszgjedhor mes LDK-së e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në prag të fushatës zgjedhore subjektet politike kanë nisur të shfaqin edhe preferencat e tyre se më kënd dëshirojnë të lidhin koalicion për të qeverisur me vendin, porse asnjëra prej tyre nuk po lëshon pe nga posti i kryeministrit.
E në këtë pozicion janë edhe LDK e LVV, pavarësisht takimit që kanë realizuar sërish të martën, Isa Mustafa dhe Albin Kurti.
Deputeti i legjislaturës së gjashtë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Osmani është shprehur se është çështje iluzioni të mendohet se LDK-ja do të jap postin e kryeministrit partnerit në koalicion pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Duke folur për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Osmani ka thënë ky primat i takon LDK-së, pasi si subjekt do të dalë e para në zgjedhjet që pritet të mbahen.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje mund të synoj postin e kryeministrit pas zgjedhjeve, por jo me LDK-në.
“Është vetëm një fantazi të mendosh se LDK-ja do t’i jap postin e kryeministrit partnerit në qeveri kushdo që do të jetë ai. Lëvizja Vetëvendosje mund të synoj postin e kryeministrit pas zgjedhjeve, por jo me Lidhjen Demokratike. LDK-ja është një parti e konsoliduar, e kompletuar dhe si e tillë do të dalë e para në zgjedhjet e këtij viti”, ka thënë deputeti Osmani.
Sipas tij, LDK-ja do të votohet jo vetëm elektorati i saj, por do të arrijë të marrë votën e përgjithshme popullore.
“LDK-ja është partia fituese e cila pritët t’i marr jo vetëm votat e elektoratit të LDK-së por të popullit, dhe si e tillë do të dalë e para në zgjedhjet e jashtëzakonshme”, ka thënë ai, shkruan FaktePlus.
Ndërkaq i pyetur sa i përket mundësisë së një koalicioni pas zgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës, Osmani ka thënë se PDK-ja është opsioni i fundit në listë prej të gjitha partive në Kosovë, me të cilën Lidhja Demokratike do të hynte në koalicion.
“PDK-ja do të jetë partia e fundit që LDK mund të bëjë koalicion për të qeverisur, prej të gjitha partive që janë në dispozicion pas zgjedhjeve. Ndryshe dihet tashmë që LDK do të hyjë e vetme në zgjedhjet e jashtëzakonshme. Unë do t’u kisha preferuar të gjitha partive që të hyjnë si të vetme në këto zgjedhje”, ka thënë Osmani.
Posti i kryeministrit duket se do të jetë pengesa kryesore e LDK-së dhe LVV për një koalicion para apo paszgjedhor.
Deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Arberie Nagavci në një prononcim më herët për FaktePlus ka thënë se partia e tyre është e interesuar që bashkë me LDK-në ta sjellin ndryshimin kaq të nevojshëm në vend, por se nuk do ta negociojnë postin e kryeministrit, i cili sipas saj pritet ta marr Albin Kurti.
“Ne besojmë se vendit i nevojitet një ndryshim rrënjësor, e ai ndryshim nuk mund të bëhet pa pasur një qeverisje të personave të cilët nuk bartin asnjë barrë të përgjegjësisë për gjendjen e vendit e që ne besojmë se ai person i duhur është Albin Kurti. Kështu që në jemi shumë të interesuar dhe të gatshëm që bashkë me LDK-në ta sjellim ndryshimin kaq të nevojshëm në vend, por kjo nuk mund të bëhet pa pasur kryeministër personin i cili edhe ashtu është më i votuar në Republikën e Kosovës”, ka thënë Nagavci./FaktePlus