Osmani jep premtim të fortë: Do ta udhëheq një Mitrovicë me krejt veriun
Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, sot ka mbajtur një tubim me qytetarët në vendin prej nga vjen – Mitrovicë.
Prandaj, edhe fjalimin e saj e ka nisur me kujtime nga Mitrovica dhe me fjalët më të mira për bashkëvendasit e saj.
“Është nderi më i madh i jetës time që të dalë para jush, që të dalë në Mitrovicën e Isë Boletinit dhe në Mitrovicën e shumë grave dhe burrave që ndërtuan themelet e shtetit tonë”.
“Natyrisht që kur jam në Mitrovicë falënderimi i parë i shkon prindërve të mi të cilët edhe sot, edhe çdo ditë, janë me mua. Por, edhe të gjithë juve mitrovicasë të mi të dashur që kurrë nuk më latë vetëm në asnjë sfidë – edhe kur shumëkush nuk besoi ju gjithmonë besuat”.
“Vërtetë nuk mund të shprehem se sa e gëzuar ndihem që po rikthehem në atë që quhet vatra ime, në vatrën time të ngrohtë. Këtu në Mitrovicën ku e kam filluar jetën, ku i kam bërë hapat e parë, ku i kam mësuar vjershat e para për Kosovën, në vendin ku ato vjersha i kam mësuar nga vajza e Latif Berishës, i kam mësuar bashkë me fëmijët e Agim Hajrizit dhe Faruk Spahisë me të cilët jemi rritur bashkë”.
Osmani ka thënë se, kudo që të shkojë, ajo do të mbetet gjithmonë bijë Mitrovice. Ndërsa, mitrovicasve u ka premtuar se nëse ajo do të bëhet kryeministre, veriu i Mitrovicës do të mbetet gjithmonë Kosovë.
“Unë vërtetë tërë jetën jam ndjerë krenare me ju sepse keni duruar më shumë se çdo kush tjetër, sepse keni përjetuar më shumë se çdo kush tjetër. Përderisa çdo cep i Ksoovës mund të flasë për liri, në Mitrovicë akoma e kemi plagën e hapur”.
“Sot dal para jush për të kërkuar besimin tuaj që njëherë e mirë ta mbyllim atë plagë të Mitrovicës. Dhe ju e dini që kudo që kam shkuar, pavarësisht në cilin kontinent, pavarësisht kohës që e kam kaluar në vendin tonë shpëtimtar – në Amerikë – dhe pavarësisht faktit se kohëve të fundit jam edhe në Gjilan edhe në Prishtinë, unë gjithmonë do të mbes mitrovicalike sepse është një mrekulli me qenë mitrovicalike”.
“Vërtetë nuk ka gëzim më të madh për mua se sa kur e ndjej nga brohoritjet tuaja dhe e shoh në sytë tuaj që Mitrovica tashmë paska vendosur se kush do të jetë kryeministrja e Kosovës”.
“Mitrovica tashmë paska vendosur që vajza dhe motra e tyre ta udhëheqë Kosovën dhe ta udhëheqë një Kosovë me Mitrovicën brenda dhe jo jashtë saj”.
“Unë do ta udhëheq një Mitrovicë me krejt veriun e saj, si pjesë të pandashme të Republikës tonë me mua si garantues të përhershmërisë së shtetit dhe paprekshmërisë të kufijve të saj”.
“Me mua që nuk ik nga përgjegjësitë për mbrojtjen e vendit duke e lënë këtë përgjegjësi të shenjtë për mbrojtjen e Mitrovicës tonë në duart e tyre që bëjnë pazare me territore”.
“Askush më mirë se ju, mitrovicasë të dashur, nuk e di që me LDK-në dhe me mua si kryeministre asnjë centimetër i territorit të Kosovës nuk do të shkojë diku tjetër. Ju e dini këtë fare mirë sepse ishte LDK-ja që që qëndroi ballë një beteje për mbrojtjen e Mitrovicës në vitet e 90-ta kur idetë ruso-serbe për copëtimin e saj merrnin hov. Janë njerëzit e LDK-së që sot e mbrojnë nga logjika e tregtarëve të territoreve”.
“Prandaj, edhe sot ua jap fjalën dhe besën time që Mitrovica jo vetëm që do të jetë pjesë e Kosovës, që i gjithë veriu do të mbetet brenda, por do të jetë një veri dhe Mitrovicë e zhvilluar”.
“Mjaft më Mitrovica është lënë në harresë. Ka ardhë koha që kryeministrja e vendit t’i kthejë sytë ka Mitrovica dhe që qeveria e Kosovës t’i kthejë sytë ka Mitrovica dhe Mitrovicës t’i kthehet nami i zhvillimit dhe shkëlqimi që e kishte dikur”.