Osmani: Jam kundër mocionit, nuk jam pajtuar që të mbahet seanca në sallën plenare
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka folur sot para mediave pas mbledhjes së kryesisë ku është vendosur që të mbahet nesër në ora 11:00 seanca ku do të votohet për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.
“Shpreh shqetësimin tim të thellë për shëndetin e qytetarëve, i falënderoj të gjithë institucionet e Kosovës, ju bëj thirrje qytetarëve që t’i përmbahen të gjitha rekomandimeve që rrezikun nga pandemia ta kalojnë”, ka thënë Osmani, teksa ka sqaruar se për cka e ka kontaktuar institutin.
“Unë kam komunikuar me Institutin Kombëtar, jo për të kërkuar leje po për të kërkuar nga ky institut që të dinim se cilët hapa duhet të merren për të siguruar mbarëvajtjen në kuadër të rregullave. Kemi kërkuar që të dimë se në tubime të tilla cilat janë kushtet të cilat duhet të plotësohen. Instituti ka rekomanduar që të sigurohet dezinfektimi sallës, kontrolli mjekësor dhe mbi të gjitha distanca fizike prej së paku dy metrash. Unë kam kërkuar nga administrata që të përgjigjet nëse salla i plotëson kushtet për një takim të tillë dhe përgjigja e administratës ka qenë që salla nuk i plotëson këto kushte”, ka thënë ajo.
Osmani thotë se grupet parlamentare kanë propozuar që distanca të jetë 1.5 metra në mes të deputetëve.
“Megjithatë, ka pas kërkesë nga disa grupe parlamentare që të sigurohet edhe hapësira përreth, pas matjeve, administrata është përgjigjur që në sallë do të mund të futeshin në maksimum 80 veta. Megjithatë, me shumicë kryesia ka vendosu që seanca të mbahet nesër në ora 11:00.
Unë nuk jam pajtuar me këtë konstatim, megjithatë, kishte insistim që në vend të distancës 2 metra të sigurohet distancë 1.5 metra, pra shumica vendosi që nesër të ketë seancë në ora 11:00, pra është vetëm një pikë e rendit të ditës, mocioni i 44 deputetëve.
Kemi kërkesë nga një grup parlamentar që për ta të sigurohet distanca prej 2 metrave, dhe poashtu edhe për qeverinë e Kosovës”, shton ajo.
Kryeparlamentarja thotë se nësër i takon deputetëve që të vendosin lidhur me mocionin.
“Nesër i takon deputetëve që të vendosin se si do të votojnë lidhur me mocionin. Siç e dini kemi edhe sot një deklaratë të vendeve të QUINT’it ku kanë kërkuar unitet institucional në këtë kohë të vështirë, dhe njëkohësisht kanë kërkuar që të ruhet integriteti i institucioneve”, shton ajo.