Osmani: Do ta njoftojmë nesër Grenellin për bisedimet me VV-në
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani në një paraqitje para mediave ka komentuar negociatat për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje dhe vizitën e nesërme të ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell.
Osmani tha para mediave se nuk i sheh si presion vizitat e vazhdueshme në LDK e thirrjet për të formuar sa më shpejtë institucionet e reja.
“Në asnjë moment, shtetet të cilat e kanë ndihmuar Kosovën që jo vetëm të shpëtojë nga një regjim gjenocidal nuk duhet ta shikohen sikur shtete të cilat bëjnë trysni, sepse e vetmja që kanë bërë është kanë dhënë ndihmë, dhe në të njejtën kohë të kemi një qeveri që të kemi një qeveri që ka përkrahje të plotë ndërkombëtare. Ne vetëm se i mirëpresim kontaktet dhe ndihmën dhe asnjë moment nuk i shohim si trysni”, ka deklaruar Osmani.
Nënkryetarja e LDK-së, thotë se vizita e nesërme e ambasadorit Richard Grenell është shumë e mirëpritur sepse tregon interesimin e Shtëpisë së Bardhë për zhvillimet në vend.
“Natyrisht që shpresë ka sepse ne ndryshe nuk do të insistonim edhe dje nga mbledhja e kryesisë. Sa i përket vizitës së ambasadorit Grenell është herët më parashiku propozimet apo temat që do të jenë në atë takim, dua të theksoj se është shumë e mirëpritur kjo vizitë, sepse tregon interesimin e Shtëpisë së Bardhë, që nga emërimi i Grenell kemi pas një interesim dhe punë të tij të jashtëzakonshme duke u fokusuar në ide se si dialogu Kosovë Serbi të përfundojë sa më shpejtë duke duke i dhënë perspektivë të zhvillimit ekonomik rajonit dhe në asnjë moment nuk ka insistuar në ide të rrezikshme që i kontribojnë ndarjes. Cila është casja e tij do të merret vesh nesër, ne do ta informojmë për rrjedhën e diskutimeve, po besoj cka do që të ndodhë nesër, edhe pas ditës së nesërme do të ketë akoma shpresë. Unë mund ta konfirmoj sidomos nga mbledhja e kryesisë dje që LDK-ja ka vullnet të plotë”, deklaroi Osmani.
Ajo ka deklaruar se nuk do që të komentojë se a do të votonin qeverinë e pakicës sepse thotë se Kosova s’ka nevojë për skenarë të tillë.
“Nuk dua të flas hipotetikisht, që nga dje kam më shumë shpresë lidhur me atë se a do të arrihet marrëveshja, nuk kemi nevojë të flasim për skenarë të tillë. Pavarësisht se LDK është deklaruar në një nga mbledhjet e kryesisë që jemi të gatshëm që të votojmë një qeveri të pakicës, nuk do të doja të ja dëshiroja këtë askujt, e vetmja qeveri që do të mund të përballej me të gjitha sfidat që e presin Kosovën është ajo e LDK dhe Vetëvendosjen, të gjithë ne do të japim maksimumin që të shterren të gjitha mundësitë.
Meqenëse që nga fillimi kam insistuar që çështjet e tilla duhet të negociohen vetëm në tavolinë të negociatave, dua t’i qëndroj këtij parimi. Tek e fundit qytetarëve nuk u intereson kujt ju mbetet deri në fund, po problemet që i kanë t’i zgjedh dikush”, tha nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani.