Osmani: Anëtarësimi në NATO mbetet objektiv i Kosovës
Forca e Sigurisë së Kosovës ka mbajtur ceremoninë e përvitshme në shënimin e “Epopesë së UÇK-së”.
Në 23 vjetorin e rënies heroike të komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij, në kazermën “Adem Jashari” është mbajtur kjo ceremoni ku prezentë ishin edhe krerët e shtetit.
Ushtruesja e detyrë së presidentit, Vjosa Osmani, me nderime tha se familja Jashari i vuri themelet e shtetit dhe lirisë. Tha se brezave të ardhshëm duhet t’u kujtohet historia e të mos harrohet e kaluara.
“23 vjet më parë predhat e forcave serbe që ranë mbi shtëpitë e Jasharëve shënuan kulmin e rezistencës për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, vendit tonë që u shndërrua në luftën tonë për çlirim. Shtëpitë e Jasharëve u shndërruan në fortifikatë të rezistencës. Përgjatë 5,6,7 marsit rezistenca e komandantit Adem Jasharit, familjes dhe bashkëfshatarëve të vet përçoi mesazhin se liria nuk ka kompromis. Me gjakun e tyre i vumë themelet e lirisë dhe shtetit të Kosovës”, tha Osmani.
Osmani tha se objektiv i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO.
“FSK-ja po zhvillohet edhe më tej si forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s prandaj anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i shtetit tonë. Lufta jonë për lirinë mbetet e shenjtë ashtu si shteti”, tha ajo.