OSBE sqaron rolin e saj lidhur me procesin zgjedhor në komunat veriore
Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) do ta ndihmojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për organizimin e procesit zgjedhor për kryetar të katër komunave në veri të Kosovës i cili do të mbahet me 19 maj. Por, OSBE në këtë proces zgjedhor do të jetë i kyçur vetëm në nivelin teknik të ofrimit të këshillave teknike.
Zyra për informim e OSBE-së, në një përgjigje për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, ka konfirmuar se përfshirja e tyre në këto zgjedhje është bërë me kërkesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Më 15 prill, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar me konsensus një vendim për të kërkuar këshilla teknike dhe ndihmë nga Misioni i OSBE-së për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar komune në katër komunat veriore të Kosovës, me datë 19 maj. Një ditë me vonë (16 prill), Misioni i OSBE-së ka marrë një letër nga KQZ, ku kërkohet ofrimi i këshillave teknike për Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe ndihmë teknike për Këshillat e Vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës. Misioni i është përgjigjur pozitivisht kësaj letre”, thuhet në përgjigjen e OSBE-së.
Misioni i OSBE-së me tutje ka shtuar se ata do t’i kenë edhe personelin e tyre të pranishme në Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, por edhe në Këshillat e Vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve.
“Roli i OSBE-së do të jetë prania e personelit të vet në Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe pastaj në ditën e zgjedhjeve në Këshillat e Vendvotimeve, me qëllim që atyre t’iu ofrohet ndihmë teknike dhe mbështetje gjatë zhvillimit të procesit zgjedhor. Numrin e saktë të stafit nuk e kemi ende mirëpo do të jemi të pranishëm në të gjitha Këshillat e Vendvotimeve. Duhet theksuar se ky nuk është një mision vëzhgues/monitorues, por ndihmë teknike aty-për-aty për këto trupa të emëruara nga KQZ që bëjnë administrimin e zgjedhjeve”, thuhet me tutje në përgjigjen e OSBE-së.
Mirëpo, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fillimisht nuk e ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 19 majit, e as katër kandidatët e saj për kryetar të Mitroviës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveqanit.
Por, misioni i OSBE-së nuk ka dashur ta komentojë këtë vendim të KQZ-së, duke thënë se kjo është kompetencë e KQZ-së dhe institucioneve të Kosovës.
“Kjo çështje është kompetencë e KQZ-së dhe institucioneve të Kosovës, dhe nuk ndërlidhet me rolin që i është kërkuar Misionit”, theksohet në përgjigje, raporton FaktePlus.
Ditë më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka certifikuar katër kandidatët e Listës Serbe për pjesëmarrjen e tyre në garën për të parin e komunës së Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveqanit.
Kjo, pasi dy anëtarët e KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes nuk votuan pro.
Por, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) urdhëroi Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) ta certifikojë subjektin politik Lista Serbe për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore që do të mbahen më 19 maj, KQZ-ja edhe bëri certifikimin e saj.
Kujtojmë se më 26 nëntor të vitit të kaluar, katër kryetarët e komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok, dhe Leposaviq, kanë dhanë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie për vendosjen e taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe.
Madje, në dorëheqjet e tyre, kryetarët e këtyre komunave, Kosovës i ishin referuar me termin “Kosovë e Metohi”./FaktePlus