Opozita zgjedh heshtjen në seancën për rrëzimin e Qeverisë
Në Kuvendin e Kosovës pritet të dalë së shpejti në votim mosbesimi ndaj Qeverisë. Nga deklarimet e mëparshme, është vetëm VV dhe dy-tre deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mesin e tyre Vjosa Osmani, janë kundër rrëzimit të Qeverisë.
E në seancën e nisur rreth orës 12, që po vazhdon edhe në këto momente, po flasin kryesisht vetëm deputetët e të dy partive që për 52 ditë qeverisën bashkë e për 100 tjera kishin negociuar për koalicion.
Ato akuzuan njëra-tjetrën për qasjen në koalicion e që besa edhe për të kaluarën. Dukej sikur të bëhej një debat pozitë-opozitë.
Nga partitë opozitare, bie në sy sjellja e PDK-së. Në emër të saj ka folur deri tash vetëm Memli Krasniqi, nënkryetar i Kuvendit. Ai ka folur në emër të partisë teksa ka thënë se do ta mbështesin mocionin dhe e kanë quajtur këtë një vetë-dorëzim të Albin Kurtit.
Tjetri që ka folur nga PDK-ja është shefi i Grupit Parlamentar, Bedri Hamza që ka pasur një replikë të shkurtë.
Nga ana e partive tjera opozitare po ashtu nuk ka pasur shumë deklarime. Nga AAK vetëm Daut Haradinaj ka folur. Nga NISMA vetëm deputeti Haxhi Shala dhe kryetari i saj, Fatmir Limaj.
LDK dhe VV kanë prekur majat e mospajtimeve pasi që Kurti shkarkoi Agim Veliun nga pozita e Ministrit t Brendshëm. Kohë më parë LDK ia kërkonte Kurtit heqjen e taksës sepse e kërkonte Amerika, madje duke thënë se nëse nuk hiqet, atëherë LDK del nga Qeveria.
Partia e Isa Mustafës deklaron se po rrezon Qeverinë sepse Kurti rrezikoi raportet me SHBA-të. E nga Vetëvendosje konsiderojnë se LDK po rrezon se po nxitet nga Hashim Thaçi.