Opozita serbe në Kosovë synon front kundër Listës Serbe
Krijimi i një fronti të përbashkët opozitar serb është diskutuar në takimin që disa përfaqësues të serbëve të Kosovës kanë pasur me partitë opozitare në Serbi. Tek akuzuan politikën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për pozitën e serbëve në Kosovë, kryetari i Partisë Demokratike, Zoran Lutovac, ka theksuar nevojën për një alternativë politike ndaj Listës Serbe.
Në takimin e Beogradit, serbët nga Kosova u përfaqësuan nga Këshilli Kombëtar Serb i Kosovës dhe Forumi Kombëtar Serb (SNF) nga Graçanica, si dhe nga e ashtuquajtura Lëvizja Popullore e Serbëve nga Kosova “Atdheu”, nga Mitrovica.
Nga opozita e Serbisë mori pjesë kryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi (SSP), Dragan Gjilas, kryetari i Partisë Demokratike, Zoran Lutovac, lideri i Partisë së Re Demokratike të Serbisë, Milosh Jovanoviq, kryetari i “Qendrës së Serbisë”, Zdravko Ponosh, dhe përfaqësuesi i Kryengritjes Ekologjike, Aleksandar Jovanoviq Çuta.
“Duhet të thyhet zinxhiri i korrupsionit në linjën Beograd – Lista Serbe. Paratë e ndara me vite për popullin e Kosovës dhe Metohisë përfunduan në xhepat e gabuar, domethënë nuk shkuan aty ku duhej”, ka potencuar Lutovac.
Kryetari i Forumit Nacional Serb nga Graçanica, Momçilo Trajkoviq, ka folur për një politikë autentike serbe në Kosovë.
“Qëllimi ynë është të krijojmë një politikë autentike serbe në Kosovë-Metohi që duhet të jetë shtyllë e Serbisë. Ne do të donim të merrnim pjesë në krijimin e asaj politike në Serbi për Kosovën”, ka thënë Trajkoviq.
Kryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi (SSP), Dragan Gjilas, është zotuar se partia e tij kurrë nuk do të pranojë që Kosova të jetë e pavarur apo anëtare e Kombeve të Bashkuara.
“Mbijetesa e serbëve në Kosovë është vendimtare, nëse ata nuk janë aty, lufta do të humbiste kuptimin e saj”, ka thënë ai, duke numëruar një sërë masash për forcimin e popullit serb në Kosovë, si ndërtimi i impianteve prodhuese, blerja e produkteve bujqësore, investime shtesë në Universitetin e Mitrovicës e të tjera.
Në takimin e së shtunës u paralajmërua një seancë e përbashkët në Kuvendin e Serbisë për Kosovën, ku pritet të propozohet edhe një ligj për Kosovën nga Partia e Re Demokratike e Serbisë.
E deputeti i Lëvizjes Kombëtare të Serbisë, Aleksandar Ivanoviq, i ka sugjeruar delegacionit të serbëve nga Kosova që të “përpiqen të mbledhin të gjithë individët, aktorët politikë që nuk gravitojnë kah kryeministri i Kosovës, apo lloji i politikës aktuale në Beograd”.
Por njohës të zhvillimeve në veri thonë se takimet e tilla janë teatër politik pasi as opozita atje nuk ndryshon shumë prej Vuçiqit kur vjen puna te Kosova.
“Ai takim që ka ndodhur në Beograd, mes opozitës në Serbi dhe disa liderëve opozitarë të Kosovës, është një lloj shfaqje e lojës, që do të thotë se nga Kosova ishin politikanët që kanë pasur fuqi në momente të caktuara, por s’kanë bërë asgjë. Mendoj se atje s’kemi pasur asnjë forcë që angazhohet për zhvillimin e jetës multietnike në shtetin e Kosovës. E kemi edhe një gjë serioze, edhe opozita, edhe pushteti në Beograd e kanë të njëjtin shef. Edhe opozita atje në fillim u dakordua me njëlloj heshtjeje kur flasim për gjendjen në Kosovë ose për lëvizjet politike të Vuçiqit. Ata për një grusht vota kanë dalë me disa të ashtuquajtur patriotë nacionalistë nga Kosova”, ka thënë analisti Branislav Kërstiq.
Në kuadër të masave që së fundi prezantoi presidenti i Serbisë, Vuçiq, është edhe kërkesa për zgjedhje të reja në komunat veriore, të cilat aktualisht udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë.
Kërstiq nuk e përjashton mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme Lista Serbe të sfidohet edhe nga subjekte të tjera.
“Kushdo që hyn në bojkot të zgjedhjeve në fund do të dalë si humbës, edhe bojkoti i kaluar nga ana e Listës ishte kundër interesave të komunitetit serb në veri të vendit, por edhe nuk ishte as në interes të asnjë qytetari të Kosovës. Jam i sigurt që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale do të kemi angazhimin e secilit subjekt politik nga veriu i vendit”, ka thënë Kërstiq. “Serbët janë me buxhet të lidhur me shtetin e Serbisë, që do të thotë 80 për qind e banorëve serbë nga veriu i vendit janë në buxhetin e shtetit të Serbisë, Beogradit. Edhe nuk e di, nuk jam i sigurt nëse do ta kemi vullnetin e lirë të votuesve në zgjedhjet e ardhshme. Do të kemi edhe disa subjekte opozitare që do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme, por nuk do ta dimë deri në fund nëse edhe ato subjekte janë nën kontroll të qendrave financiare ose politike nga Beogradi zyrtar. Asgjë nuk është e qartë tani, pasi jemi në fillim të ashtuquajturit pluralizëm në zgjedhje”.
Lista Serbe është subjekti që deri para zgjedhjeve të 23 prillit 2023 ka përfaqësuar serbët në nivelin lokal prej kur filluan të mbahen zgjedhjet në këtë pjesë të vendit, sipas ligjeve të Kosovës në vitin 2013.
Kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023 në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me vendimet e Qeverisë së Kosovës.
Vendosja e kryetarëve në objektet që menaxhoheshin nga Lista Serbe nxiti tensione të cilat shpërthyen në majin e vitit të kaluar, ku protestues të dhunshëm u përleshën edhe me pjesëtarët e KFOR-it.
SHBA-ja e BE-ja kërkuan uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.
Kjo u iniciua përmes peticionit që ishte nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe. Mirëpo, në mesin e tetorit të vitit 2023, ajo deklaroi se nuk ishte e gatshme të merrte pjesë në zgjedhjet në komunat në veri, duke bërë që peticioni për largimin e kryetarëve të dështojë.
Edhe në nivelin qendror, Lista Serbe, që ishte derivat i Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, ka të gjitha ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës. Derisa në veri u dorëhoqën prej institucioneve në vitin 2022, Lista Serbe vazhdoi t’i ruajë mandatet në Kuvend.
Edhe pse subjekti që mbështetet nga Beogradi zyrtar i ka fituar të gjitha zgjedhjet, raportet vendore e ndërkombëtarë kanë konstatuar mbytjen e pluralizmit politik në mesin e komunitetit serb.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt.