Opozita, e bindur në mosarritjen e vlerës 3 miliardë euro
Derisa ka premtuar rritje të buxhetit deri në 3 miliardë euro, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ditën kur është votuar Qeveria ka thënë se një gjë e tillë do të ndodhë duke rritur vlerën e ekonomisë.
“Buxheti i Republikës së Kosovës do të arrijë në 3 miliardë euro gjatë mandatit tonë qeverisës, duke rritur paraprakisht vlerën e ekonomisë dhe duke ruajtur pjesëmarrjen e shpenzimeve publike në Bruto Produktin e Brendshëm”, është shprehur Kurti pak para votimit të Qeverisë.
Pavarësisht këtij zotimi, dy partitë e koalicionit LVV – LDK ende nuk kanë publikuar programin e plotë qeverisës, në të cilin do të shpjegohej më detajisht strategjia se si do të arrihej të jetësohej ky zotim.
Lidhur me këtë çështje gazeta ka dërguar pyetje para tri ditësh edhe në Ministrinë e Financave, mirëpo nga ky dikaster nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërkohë gjersa ka folur rreth premtimit për rritjen e buxhetit në 3 miliardë euro, ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka (AKR), ka thënë se qeveria e re e ka problem që këtë zotim ta realizojë gjatë këtij mandati, megjithëkëtë ai ka konsideruar se mund të bëhet një rritje e konsiderueshme duke i dhënë prioritet vlerave ekonomike, gjegjësisht duke zhvilluar sektorët privatë më tepër. “Unë kam dyshime prej kësaj qeverie sidomos në mosvazhdimin e menaxhimit të disa prej aseteve të mëdha siç është Telekomi i Kosovës, të cilat mund të sjellin benefite shtesë për buxhetin dhe për vendin. Mirëpo prapëseprapë mendoj se buxheti ka mundësi të rritet, por absolutisht jo, në asnjë formë, që gjatë këtij mandati ta arrijë vlerën e 3 miliardë eurove”, ka deklaruar ai për zërin.
Problemi tjetër në këtë drejtim sipas Llukës ka të bëjë edhe me synimin e Qeverisë që të zvogëlohen tatimet mbi të ardhurat personale për pagat e vogla, në vlerë prej 250 eurosh. “Prandaj kjo nuk do të ketë ndikim në buxhet, se kjo ka të bëjë me transferim nga personat që kanë të ardhura të mëdha te personat që kanë paga më të vogla, kështu që ndikimi në buxhet është i limituar”, ka shtuar ai.
Ndërkohë ka thënë se huamarrja nga jashtë është një opsion përmes së cilit mund të shkohet drejt rritjes së buxhetit, por kreditimi i buxhetit sipas Llukës nuk mund të bëhet në sasi të madhe. “Kosova edhe sot vazhdon të mburret se e ka mbajtur borxhin publik të ulët, gjë që është shumë mirë. Por huamarrja nuk mund të merret në atë masë që të rritet shumë borxhi publik. Nëse shikohen qeveritë e kaluara shihet se huamarrja brenda shtatë – tetë vjetëve të fundit është rritur diku nga rreth 13 për qind në 18 – 19 për qind. Normalisht nuk mund të shkojë jashtë këtij trendi”, ka theksuar ai.
Edhe Safete Hadërgjonaj, ish-kryetare e Komisionit për Buxhet dhe Financa nga radhët e PDK-së, ka thënë se pret të ketë rritje të buxhetit, mirëpo premtimet e dhëna nga qeveria e re i ka cilësuar të paarritshme. “Buxheti i Republikës së Kosovës ka shkuar duke u rritur nga viti në vit. Unë pres që të ketë rritje prapë, por premtimet që janë dhënë nga Qeveria janë premtime përmendësh, nuk janë premtime të bazuara në realitetin, i cili mbizotëron në Kosovë. Ne presim që buxheti të rritet, por këto shifra që janë thënë nga Qeveria janë të paarritshme”, është shprehur ajo.
Sidoqoftë për t’u rritur buxheti sipas saj në radhë të parë duhet t’i jepet prioritet zhvillimit të bizneseve të vogla dhe të mesme në Kosovë, duhet t’i jepet fuqi sektorit privat për t’u zhvilluar, sepse pjesa më e madhe e të hyrave, siç ajo është shprehur, mund të vijë nga aty. Gjithashtu Hadërgjonaj ka thënë se duhet të punohet shumë që ekonomia të jetë e formalizuar dhe jo dikush të paguajë obligimet ndaj shtetit, dikush të mos paguajë.