OpenAI po i jep bordit të saj të drejtën e vetos mbi Sam Altman
Kompania OpenAI që ka krijuar ChatGPT-n po fuqizon bordin e tij me të drejtën e vetos mbi lidershipin e kompanisë.
Siç raportohet, kompania lëshoi të hënën një kornizë të re sigurie, e quajtur “Korniza e Përgatitjes”, transmeton Telegrafi.
Kjo kornizë do të monitorojë proceset e OpenAI, për t’u mbrojtur nga rreziqet katastrofike të paraqitura nga modelet gjithnjë e më të fuqishme”.
OpenAI tha në deklaratën e saj se do të krijonte një “Grup Këshillues për Sigurinë ndërfunksionale”. Grupi, thotë OpenAI, do të ngarkohet me rishikimin e raporteve mbi rreziqet në zhvillim përpara se të përditësojë udhëheqjen dhe bordin e drejtorëve të kompanisë.
Megjithatë, autoriteti përfundimtar i vendimmarrjes do t’i takonte bordit të OpenAI dhe jo CEO-s, Sam Altman.
“Ndërsa Lidershipi është vendimmarrësi, Bordi i Drejtorëve ka të drejtën për të ndryshuar vendimet”, shkruan OpenAI në deklaratën e tij.
OpenAI mirëpriti një bord të ri fillestar muajin e kaluar pasi bordi i mëparshëm e kishte shkarkuar për pak kohë Altmanin nga kompania. Bordi aktualisht përbëhet nga Bret Taylor, Larry Summers dhe Adam D’Angelo.