OpenAI në ‘diskutime intensive për të unifikuar kompaninë’
OpenAI është në “diskutime intensive” për të unifikuar stafin e saj të ndarë, shkroi Zëvendës Presidentja e Çështjeve Globale, Anna Makanju të hënën vonë në një memo të brendshme të rishikuar nga Bloomberg News.
Makanju e drejtoi mesazhin te punonjësit të cilët janë shqetësuar ditëve të fundit pas shkarkimit të Shefit Ekzekutiv, Sam Altman dhe emërimin e ish-shefit të Twitch, Emmett Shear si zëvendësuesin e tij të përkohshëm, transmeton Telegrafi.
“Menaxhmenti i kompanisë është në kontakt me Altman, Shear dhe bordin e kompanisë, por ata nuk janë të përgatitur të na japin një përgjigje përfundimtare këtë mbrëmje”, shkroi Makanju.
Më herët të hënën, shumica e stafit nënshkruan një letër duke thënë se do të largoheshin nëse bordi nuk jep dorëheqje dhe të ripunësonte Altman, i cili u punësua nga Microsoft.
Microsoft është aksioneri më i madh i OpenAI, derisa Altman u punësua për të drejtuar një ekip të ri të Inteligjencës Artificiale.
Memorandumi nga Makanju nuk shtjellon shtrirjen e kontaktit të stafit me Altman, dhe ish-CEO nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Ka një vrull të fortë jashtë OpenAI për ta rikthyer Altman.
Investitorët e tjerë të OpenAI, të udhëhequr nga Thrive Capital, po përpiqen në mënyrë aktive të orkestrojnë kthimin e tij, madje edhe CEO i Microsoft Satya Nadella tha se ai nuk do të kundërshtonte rivendosjen e Altman. Microsoft, i cili është zotuar të investojë deri në 13 miliardë dollarë në OpenAI, përfiton nëse Altman drejton OpenAI ose punon nën çatinë e tij, tha Nadella. /