OKB-ja arrin marrëveshje me Etiopinë për futjen e ndihmave në Tigray
Kombet e Bashkuara dhe Qeveria e Etiopisë të mërkurën arritën marrëveshje për dërgimin e ndihmave humanitare në rajonin Tigray, ku shumë njerëz janë vrarë, plagosur e zhvendosur për shkak të luftimeve mes forcave qeveritare dhe rebelëve.
Marrëveshja, për të cilën njoftuan zyrtarët e Kombeve të Bashkuara, do t’ua mundësojë punëtorëve humanitarë qasjen në zonat e rajonit Tigray që kontrollohen nga forcat qeveritare. Atje, ushtria e Etiopisë po lufton kundër të ashtuquajturit Fronti Popullor për Çlirim.
Besohet se gjatë luftimeve janë vrarë mijëra njerëz, por numri i saktë nuk dihet për shkak të kushteve të vështira për raportim dhe vërtetim të rasteve. Në rajonin Tigray nuk ka rrjet telefonik e as internet.
Rreth 45.000 refugjatë kanë ikur në Sudan për shkak të dhunës, ndërsa përleshja e armatosur e ka përkeqësuar gjendjen në rajonin ku edhe ashtu 600 mijë njerëz ishin të varur nga ndihmat ushqimore para luftimeve, shkruan Reuters.
Agjencitë për ndihma kanë paralajmëruar për gjendje alarmante për shkak të thellimit të krizës humanitare dhe kanë bërë trysni për qasje në zonat ku ka nevojë për ndihmë pasi qindra punëtorë të huaj u detyruan të largohen.