Oda Ekonomike Amerikane kundër taksës 100 për qind ndaj Serbisë
Janë bërë gati pesë muaj prej kur Qeveria e Kosovës ka vënë 100 për qind taksë doganore për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja. E ndaj kësaj takse vazhdon të ketë qëndrim kundërshtues Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Qeveria e Kosovës më 6 nëntor, të vitit të kaluar, fillimisht kishte vendosur taksë doganore 10 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Por vetëm pak ditë më vonë, më 21 nëntor të vitit 2018 Qeveria mori vendim dhe taksa doganore u ngrit në 100 për qind.
Ndaj kësaj takse patën reaguar edhe ndërkombëtarët, madje ata ende po kërkojnë heqjen e barrierave në tregti me Serbinë.
E kundër kësaj take vazhdon të ketë qëndrim Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), drejtuesit e së cilës thonë se tregtia e lirë është faktor i rëndësishëm në që mundëson rritjen ekonomike për vendin.
Drejtori ekzekutiv i OEAK, Arian Zeka në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, ka thënë se vendimi për vendosjen e barrierave jotarifore nuk përbëjnë rrugën e duhur.
“Oda Amerikane beson se tregtia e lirë është një faktor i rëndësishëm në të mundësuarit e rritjes ekonomike përmes efikasitetit dhe inovacionit të shtuar, mundësive të eksportit si dhe cilësisë më të lartë dhe mallrave me çmime më të ulëta për konsumatorët, prandaj çfarëdo vendimi për vendosjen e barrierave jotarifore dhe tarifore jashtë frymës dhe zotimeve në kontekst të marrëveshjeve për tregti të lirë, si dhe zotimeve që vendi ka ndërmarrë për avancimin e rrugës së integrimit evropian, pavarësisht argumenteve që arsyetojnë veprimet e tilla”, ka thënë Zeka.
E përkundër faktin se janë mbushur gati pesë muaj nga vënia e taksës nëpër marketet e Kosovës e ka mjaft shumë mallra serbe, që duket se taksa 100 për qind nuk ka pasur ndonjë ndikim.
Zeka në këtë rast ka vënë dyshime se me vënien e taksës mund të ketë edhe kontrabandë.
Ai ndër të tjerë vlerëson se barriera do të gjeneronte efekte negative për ekonominë e Kosovës.
“Oda Amerikane beson se çfarëdo vendimi për barriera tarifore dhe jotarifore do të gjenerojë efekte negative për ekonominë e Kosovës në periudhë afatgjatë meqë do të ndikojë në ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe do të pengojë prospektet për krijimin e vendeve të punës, duke lënë në hije efektet pozitive shkurtpamëse që vendimi mund të ketë. Edhe pse ka muaj nga vendosja e taksës, në tregun vendor ende ka mjaft shumë produkte serbe. Si është e mundur një gjë e tillë? – (apo po bëhet kontrabandë me sasi të mëdha?”, është shprehur Zeka.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus do t’iu sjellë intervistën e plotë me drejtorin ekzekutiv, Arian Zekën. Në këtë intervistë do të mund të lexonit për investimet e SHBA-ve në Kosovës edhe pas vënies së taksës me Serbinë dhe Bosnjën.
Po ashtu, mund të gjeni edhe vlerësimet e OEAK-së në lidhje me korrupsionin e lartë dhe ndikimin e saj në ekonominë e vendit.
Kujtojmë se Serbia është importuesi më i madh në Kosovë i pothuajse të gjitha produkteve. Sipas të dhënave zyrtare, vlera e produkteve të importuara nga ky shtet vetëm brenda një viti, është rreth 500 milionë euro.
Nga taksa Serbia ka humbur qindra miliona euro, kurse kapacitetet prodhuese në Kosovë kanë shënuar rritje dhe rrjedhimisht ka pasur ndikim edhe në hapjen e vendeve të reja të punës.
Por, duhet thënë se vendosja e taksës 100 për qind, në anën tjetër ka bllokuar dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi po kërkojnë nga Prishtina zyrtare që të pezullojë këtë taksë, në mënyrë që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut.
Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, i cila vazhdon të mbetet në fuqi./FaktePlus