OBSH teston vaksinën e AstraZeneca me efikasitet të dyshimtë
Ekspertët nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) sot analizuan vaksinën e AstraZeneca kundër COVID-19, efektiviteti i së cilës është i dyshimtë për të moshuarit dhe për variantin e Afrikës së Jugut.
Vaksina AstraZeneca/Oxford, me të cilën Britania e Madhe ishte e para për të vaksinuar popullatën e saj në masë në dhjetor, është aprovuar nga disa vende të tjera dhe Bashkimi Evropian.
Por disa qeveri kanë vendosur ta rekomandojnë atë vetëm për njerëzit nën 65-vjeç dhe madje 55-vjeç pasi nuk kishte të dhëna të mjaftueshme për efektivitetin e saj për të moshuarit.
Të dielën, Afrika e Jugut anuloi fillimin e fushatës së saj të vaksinimit me një milion doza të vaksinës AstraZeneca, të planifikuar për këto ditë, pas një studimi që zbuloi efektivitetin e saj “të kufizuar” kundër llojit të brendshëm të virusit.
Rezultatet e para të këtij studimi tregojnë se vaksina është vetëm 22 për qind efektive kundër formave më të lehta të llojit të Afrikës së Jugut. Nuk ka ende rezultate mbi efektivitetin e tij kundër formave më të rënda.
“Është shumë herët për të larguar këtë vaksinë, e cila është një pjesë e rëndësishme e reagimit global ndaj pandemisë aktuale”, tha Richard Hatchett, kreu i CEPI, departamenti i kërkimit të mekanizmit Covax i ngritur nga OBSH për të siguruar një shpërndarje të barabartë të mjeteve antiCOVID-19.
“Gjëja më e rëndësishme është të përdorim sa më mirë mjetet që kemi,” tha ai në një konferencë shtypi në Gjenevë.
“Ne mendojmë, megjithatë, se vaksina jonë do të mbrojë nga format më të rënda të sëmundjes,” tha një zëdhënës i AstraZeneca.
Me një efikasitet mesatar aktualisht 70 për qind, vaksina AstraZeneca / Oxford aktualisht është më pak efikase se Pfizer/BioNTech ose Moderna, të cilat janë më shumë se 90 për qind efektive.
Por kjo vaksinë përdor teknologji klasike, e cila e bën atë më të lirë dhe më të lehtë për t’u ruajtur pasi që ajo mund të ruhet në frigorifer sesa në një temperaturë shumë të ulët, dhe për këtë arsye është më e përshtatshme për fushatat e vaksinimit masiv.