OBSh-ja reagon pas të dhënave të fundit rreth vaksinës së AstraZeneca-s
Organizata Botërore e Shëndetësisë pret që të mos ketë arsye për ta ndryshuar vlerësimin e saj se përfitimet e vaksinës së AstraZeneca-s kundër Covid-19 ia marrin anën çfarëdo rreziku, tha të martën drejtori i rregullatorit të saj.
Rogerio Gaspar, drejtor i Rregullatorit dhe Parakualifikimeve në OBSh, tha se kjo organizatë është duke i studiuar për së afërmi të dhënat bashkë me rregullatorët evropianë dhe të tjerët, pas raporteve për mpiksje të gjakut te personat e vaksinuar.
Lexo Edhe:
Tabela me të cilën mund të zgjidhni problemet e veturës
Një zyrtar i lartë i Agjencisë Evropiane të Ilaçeve ka thënë se ekziston lidhje e qartë mes vaksinës së AstraZeneca-s dhe mpiksjes shumë të rrallë të gjakut në tru, ndonëse shkaktari i drejtpërdrejtë i këtij problemi ende është i panjohur, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Agjencia Evropiane e Ilaçeve tha përmes një deklarate pas komenteve të Marco Cavalerit, drejtor i ekipit vlerësues për vaksina, se ende është duke e rishikuar vaksinën dhe pret që t’i publikojë të gjeturat të mërkurën ose të enjten.
Në anën tjetër, zyrtari i OBSh-së, Gaspar, tha se organizata pret që të arrijë në një vlerësim të ri të mërkurën ose të enjten, pas takimit të grupit këshillues për vaksina, por nuk beson se do të ketë arsye për ta ndryshuar vlerësimin se përfitimet e vaksinës peshojnë më shumë sesa cilido rrezik.
“Tash për tash, nuk ka dëshmi që duhet të ndryshohet vlerësimi i raportit mes përfitimeve dhe rreziqeve”, deklaroi Gaspar.