OBSH: Evropa me më së shumti infektime e vdekje si pasojë e COVID-19 në javën e fundit
Evropa ka mbetur rajoni i vetëm në të gjithë botën që ka raportuar rritje të rasteve të infektimeve dhe vdekjeve në javët e fundit, me një rritje prej dyfish në përqindje, ka bërë të ditur të mërkurën Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Sipas OBSH-së, në 53 shtete të rajonit të Evropës, është shënuar një rritje prej 18% e rasteve të infektimeve në javën e fundit, që shënon edhe javën e katërt me rritje të vazhdueshme në këtë zonë.
Në raportin javor epidemiologjik të OBSH-së për COVID-19, Evropa ka shënuar rritje prej 14% edhe sa i përket vdekjeve si pasojë e koronavirusit. Sipas raportit, në këtë rajon janë shënuar më shumë se 1,6 milionë raste të reja të infektimeve e mbi 21,000 raste të reja të vdekjeve si pasojë e virusit.
Ndërkohë, raporti i OBSH-së thekson se SHBA-ja ka pasur rënie prej 12% të rasteve të reja në shtatë ditët e fundit, me 513 mijë sosh vetëm në shtatë ditët e fundit. Ndërkaq, numri i rasteve të vdekjeve në këtë rajon nuk ka pasur ndryshime, me 11,600 të vdekur vetëm në shtatë ditët e fundit.