Objekti i Fakultetit të Bujqësisë që 7 vite në ndërtim e sipër
Që nga viti 2013 kishin filluar punimet për ndërtimin e objektit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë.
Jeta e tyre studentore zhvillohet mes katër objektesh.
Studentët e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë detyrohen që ligjëratat t’i ndjekin madje edhe në gjimnazin matematikor në Prishtinë.
E diçka e tillë, po iu shkakton telashe.
Ndërkohë që studentët shëtisin objekte të ndryshme për t’i vijuar studimet, objekti i cili do të duhej të ndërtohej për ta, akoma mbetet i papërfunduar.
Sipas studentit Florent Bicaj një vonesë e tillë është e paarsyeshme.
Edhe profesorët e këtij fakulteti po vlerësojnë që kushtet e këtyre studentëve nuk janë të mira. Madje sipas Sali Aliut, dicka e tillë mund të ndikojë edhe në akreditimin e fakultetit.
Madje edhe pajisjet që fakulteti posedon nuk po mund t’i shfrytëzojnë për shkak të hapësirës së papërshtatshme.
Rreth 2000 studentë të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë kanë mbetur në pritje të objektit që u premtua që do të ndërtohej që nga viti 2013.
Dekani i fakultetit, Skender Kaciu tha se nuk e dinë arsyen e saktë të mosfunksionalizimit të objektit të ri.
Ndërtimi i objektit të ri të fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë ka filluar në vitin 2013, ndërkohë që investitorë janë Qeveria e Kosovës dhe Universiteti i Prishtinës.
Nga Rektorati i UP-së thanë që arsyeja e vonesës është kompania e cila nuk e ka respektuar planin e paraparë me kontratë.