Nxirren nga shtëpia kufomat e tragjedisë në Gjilan
Sot vendi ynë u trondit nga një tragjedi ku mbetën të vdekur pesë anëtarë të një familjeje.
Rasti ndodhi në rreth orës 13:00 në lagjen ‘Bujanina’ të qytetit të Gjilanit. Derisa dyshohet se një pjesëtare e Policisë së Kosovës, vrau babanë, nënën, dy vëllezërit e më pas dhe veten.
Derisa hetuesia po merret me rastin, në këto momente po nxirren trupat e kufomave, të cilët do të dërgohen obduksion.
Nga Policia e Kosovës në Gjilan nuk pati ndonjë informacion shtesë lidhur me rastin dhe të njëjtit kanë deklaruar se tashmë rasti ka kaluar në kuadër të Prokurorisë së Gjilanit.
Ky është versioni zyrtar i deritanishëm i Prokurorisë Themelore të Gjilanit
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ju njofton se sot rreth orës 13h, nga një zyrtare policore janë vrarë 4 persona – anëtarë të familjes së saj dhe në fund e njëjta ka kryer vetëvrasje.
Sipas informatave të para, dyshohet se në lagjen ‘’Bujanina’’, në Gjilan, e ndjera V.B., zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa, pastaj ka kryer vetëvrasje.
Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë policia, prokurori i rastit dhe ekipa mjekësore, të cilët edhe kanë konstatuar vdekjen e tyre, ndërsa me urdhër të prokurorit trupat e të njëjtëve do të dërgohen për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë.
Rasti është duke u hetuar, ndërsa për detajet e tjera do të informoheni me kohë.