Nxënësja nga Peja pezullohet nga mësimi për shkak të bartjes së shamisë
Çështja e bartjes së shamisë në shkolla, vazhdon të mbetet ende sfiduese për shumë institucione arsimore në vend.
Nxënësja A.D e gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë, është pezulluar së fundmi nga vijimi i mësimit për shkak se njëjta ka vendosur që të bartë shaminë.
Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Paqe, Labinot Maliqi, gjatë një konference të mbajtur sot (e hënë), para Ministrisë së Arsimit në Prishtinë, ka thënë se njëjta është larguar nga shkolla.
“Aktualisht jemi në javën e katërt që nxënësja 18 vjeçare, A.D nga Gjimnazi ‘Bedri Pejani’ në Pejë, ka mbetur në shtëpi, pasi që ajo u largua nga shkolla më 2 shtator, ditën e parë të vitit të ri shkollor, për shkak të bartjes së shamisë. Me urdhër të drejtorit Musa Nikçi dhe ky largim u bë pa ndonjë vendim zyrtar. Kjo vajzë nuk i ka bëre keq askujt, përveç se don të arsimohet si çdo nxënëse” ka thënë Maliqi mes tjerash në këtë konferencë.
E drejtori i gjimnazit, Musa Nikçi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nxënësja nuk është përjashtuar por pezulluar.
“Nuk është përjashtuar, është largu derisa te largon shaminë nëse don me ardh si nxënëse e rregullt për shkak të ligjeve dhe udhëzimit që ka shkolla në fuqi”, tha Nikçi.
Nikçi bëri të ditur gjithashtu se nxënësja në fjalë e kishte njoftuar paraprakisht për vendimin e saj për vendosjen e shamisë.
“Po ka ardh në fund të klasës së 11 dhe më ka njoftuar, i kam tregu që ligji dhe udhëzimi nuk e lejojnë është mirë me shty, kemi diskutuar edhe me prindin e saj edhe nëna e saj ka qenë e pajtimit që me shty por nuk e dëgjua andaj ne jemi të detyruar të zbatojmë ligjin”, tha ai.
Nikçi ka shtuar se e njëjta është pezulluar nga vijimi i procesit mësimor në javën e parë të shtatorit.
Ndërkaq, drejtori i Arsimit në Komunën e Pejës, Naser Gega gjithashtu ka thënë se nxënësja në fjalë nuk është përjashtuar por pezulluar.
“Sipas drejtorit të shkollës, nxënësja në fjalë është pezulluar nga vijimi i mësimit. Drejtori vetëm se e ja zbatuar udhëzimin e administrativ. Përgjigjen më të mirë në këtë rast do ta kishte dhënë MASHTI”, tha Gega. /Telegrafi/