Nxënësit: Edhe pse nuk i mbajtëm të gjitha lëndët gjatë mësimit online, ishim shumë të ngarkuar
“Mësimi online ka qenë edhe më i vështirë, më stresues edhe më i ngarkuar sesa mësimi në shkollë”, kështu ka thënë për emisionin Amfitetatër, Ruvejda Jahja, nxënëse e shkollës “Hasan Prishtina”, e cila pavarësisht kësaj ka shpresë që gjithçka të jetë kaluar me sukses.
Por për dallim nga Ruvejda, për Rinësen mësimi online ka qenë më i lehtë, pasi sipas saj mundësia për rishikim të gjërave për të disatën herë ka qenë më e madhe.
Se kanë qenë tejet të ngarkuara me detyra edhe pse nuk janë mbajtur të gjitha lëndët që mbahen gjatë mësimit të zakonshëm e thonë edhe Ruvejda dhe Rinesa.
“Varësisht se çfarë ndjekje të planprogramit kemi bo paraprakisht në shkolla ka ndodhë që edhe mësimet të cilat i kemi mësuar më herët t’i përsërisim edhe njëherë online. Lëndët e tjera siç është muzika, edukata fizike, arti figurativ, kanë qenë disa prej lëndëve të cilat ne nuk i kemi mbajtë fare në mësim onine”, ka thënë Ruvejda.
“Secila lëndë ka japë detyra përveç përsëritje kur kemi pasë në RTK, çdo ditë kemi pasë ka katër lëndë që janë transmetu, katër landë detyra çdo ditë”, ka shtuar Rinesa.
Kujtojmë që për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit Covid-19, Qeveria e Kosovës mori vendim për mbylljen e shkollave më 11 mars, kurse më 23 mars, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit mori vendim për fillimin e mësimit online ose njohur ndryshe si mësim në distancë.