Nxënësit e një shkolle në Fushë Kosovë lëshojnë mësimin, shkak mungesa e ngrohjes
Gjatë kësaj jave temperaturat në vendin tonë kanë rënë dukshëm, madje kaluan edhe në minus. E rënia e temperaturave ka bërë që në një shkollë të mos vijohet fare mësimi për shkak të problemeve me ngrohje.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus mëson se bëhet fjalë për shkollën e mesme ekonomike “Hivzi Sylejmani” në Fushë Kosovë, e cila ka probleme me aparatin e ngrohtores.
Nxënësit e kësaj shkolle sot e kanë lëshuar procesin mësimor, pasi nuk kanë mundur të përballojnë të ftohtin.
FaktePlus ka kontaktuar drejtorin e Arsimit në Fushë Kosovë, Islam Shabanin, i cili është arsyetuar se është një problem teknik për të cilin është duke u punuar dhe pritet të zgjidhet gjatë ditës.
“Pak kemi probleme me ngrohtoren, e kemi njoftuar kontratuesin sepse nuk po e arrin temperaturën e duhur aparati nxehës, në këtë shkollë. Sot nuk ka pasur ngrohje, por që gjatë ditës do ta rregullojmë këtë çështje dhe të ta normalizojmë procesin mësimor. Në shkollat tjera qëndrojmë mirë”, ka thënë Shabnani.
Ai tutje ka pohuar se në të gjitha shkollat tjera të Fushë Kosovës, si produkt për ngrohje po përdoret druri.
Shabani tutje thekson se furnizimi është i kënaqshëm.
LEXO EDHE: Dimri po afrohet, sivjet ndalohet përdorimi i thëngjillit në gjithë Kosovën
Kujtojmë se Ministria e Mjedisit Dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), ka ndaluar furnizimin e shkollave me thëngjill. Nga kjo ministri kanë paraparë që të mos bëhet ndotja e ambientit me thëngjill, pasi është vlerësuar si e rrezikshme, sidomos nëse përdoret në shkolla.
Po ashtu nga MMPH kanë bërë me dije se do të shtohen edhe kontrollet nga inspektorët komunalë për të parë nëse bëhet shitja e thëngjillit./FaktePlus