Nxënës, mësimdhënës e prindër kundër emërimeve politike të Agim Bahtirit
Nxënës, mësimdhënës dhe prindër kanë nisur protestën kundër emërimeve politike që po bëhen nëpër shkolla nga kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Në fakt, janë nxënësit e shkollës fillore “Avdullah Shabani” në Mitrovicë që kanë nisur të protestojnë para objektit të komunës kundër vendimit të kryetarit për ta larguar drejtorin e kësaj shkolle, Haki Shytin, nga pozita e tij.
E protestës së nxënësve i janë bashkuar edhe mësimdhënësit e shkollës dhe prindërit e nxënësve që mësojnë në këtë shkollë, shkruan FaktePlus.
Sipas tyre, ky vendim është i padrejtë sepse Haki Shyti është drejtori më meritor për shkollën e tyre dhe askush nuk ka pasur asnjë ankesë ndaj tij ndonjëherë.
Në vend të drejtorit të deritashëm Haki Shyti, drejtuesit e komunës kanë marrë vendim të sjellin Nazmi Bekën, e ky sipas protestuesve është i papërvojë dhe e ka kaluar intervistën për udhëheqës të shkollës në mënyrë të paligjshme.
Mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit që po protestojnë sot vlerësojnë se kryetari Agim Bahtiri po ju hakmerret drejtorëve që nuk i janë bindur urdhrit që të mbajnë mësim në kohën e grevës.
“Kryetari Agim Bahtiri thuajse ka ndërruar të gjithë drejtorët për të cilët ka shpallur konkurs dhe në vend të tyre ka dërguar njerëz nga partia e tij dhe nga Lëvizja Vetëvendosje, me të cilët është në bashkëqeverisje”, ka thënë një mësimdhënës./FaktePlus